Sport

Sarri i lumtur me fitoren në derbi

Foto: Reuters
 

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri është ndarë shumë i kënaqur me lojën e treguar nga lojtarët e tij në fitoren 2:0 në derbi ndaj Interit të dielën.

Juventusi me fitoren e shënuar është kthyer në krye të renditjes në Serie A. I ka 63 pikë nga 26 ndeshje, një më tepër se Lazio që zë vendin e dytë.

“Është një fitore e rëndësishme, por kemi edhe 12 ndeshje deri në fund, kështu që është rrugë e gjatë. Ka qenë dukshëm më tepër se ajo që kam dashur të shoh nga Juventusi im. Është shumë pozitive që ndalëm një skuadër kualitative siç ka Interi në vetëm një gjuajtje në portë”, ka thënë Sarri për “Sky Sport Italia”, transmeton Koha.net.

Ende nuk është e qartë nëse do të luhen ndeshjet e Serie A javën e ardhshme për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kjo xhiro u luajt pa shikues, ndonëse qeveria dhe Asociacioni i Lojtarëve të Italisë kërkuan shtyrjen e xhiros.