Titulli i kampionit në dy edicionet e kaluara ku Drita dhe Feronikeli dolën kampionë, u përcaktua në ndeshjet e fundit të sezonit.
E kështu parashihet të ndodhë edhe këtë vit, ku në garë aktualisht janë katër skuadrat e para, Ballkani, Drita, Gjilani dhe Prishtina.
Ballkani është në krye të tabelës me 41 pikë, një më shumë se përcjellësja e parë Drita dhe tri më shumë se Gjilani dhe Prishtina.
Trajneri me më së shumti trofe të fituar në vend, Afrim Tovërlani, ka thënë se ende nuk mund ta favorizojë ndonjërën prej katër skuadrave të para për titull. Por ai ka shtuar se trajnerët e tyre do të jenë vendimtarë në rezultatet e ekipeve të tyre.
“Katër skuadrat e para janë edhe më tutje në garë dhe ka ende shumë pikë deri në fund. E kam thënë edhe më herët se vendimet e trajnerëve do të jenë shumë domethënëse se kush do të shpallet në fund kampion, duke mos harruar edhe faktorët e tjerë. Kush do t’i menaxhojë situatat e krizave eventuale do të jetë më afër titullit. E pamë derbin ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit se sa shumë stres dhe presion kishte edhe pse ishte vetëm ndeshja e 20-të kampionale. Pra, trajnerët do të jenë vendimtarë, mirëpo nuk mund ta favorizojë asnjërën skuadër, sepse ka shumë ndeshje deri në fund”, ka thënë Tovërlani të dielën për gazetën.
Në fakt në derbin Prishtina – Ballkani (0:0), e zhvilluar të shtunën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pati goxha
reagime e tensione nga të dy trajnerët, ai i Prishtinës, Armend Dallku, dhe i Ballkanit, Ismet Munishi.
Tovërlani, që aktualisht është i papunë, ka treguar edhe përparësitë që i kanë skuadrat që janë lart në tabelë.
“Me sa i kam parë ndeshjet e këtij fillimedicioni, Drita po luan me përvojë dhe është mjaft cinike sa u përket rezultateve. Kanë bërë edhe përforcime të qëlluara që e njohin ekipin dhe ligën mirë. Sa i përket Prishtinës, ndoshta edhe ka presion, sepse po bëhen shtatë vjet pa titull, por në mesin e saj ka shumë futbollistë cilësorë e po ashtu edhe lojtarë të fortë në bankë, derisa Ballkani, që nuk e ka pasur në fillim synim titullin, këtë mundësi ia kanë dhënë ekipet e tjera, duke mos anashkaluar edhe lojërat e mira që kanë treguar”, ka theksuar Tovërlani
Në fakt, dy edicione më parë Drita doli kampione vetëm në xhiron e fundit, njëjtë edhe edicionin e kaluar Feronikeli. Të dyja ekipet përballë e kishin Prishtinën.
Edhe trajneri Ardian Llumnica ka thënë se përballjet direkte të pretendentëve do ta vendosin titullin e kampionit.
“Pavarësisht që Ballkani kryeson me tri pikë karshi Prishtinës dhe Dritës, është ende herët të mendojmë se është bërë kampion. Do të varet shumë edhe nga ndeshjet e ardhshme në mes të Ballkanit dhe Dritës. Ballkani, Prishtina dhe Drita janë skuadra pretendente, por nuk mund ta mohojmë që edhe Gjilani mund ta kapë hapin dhe eventualisht t’i përmirësojë gabimet dhe diferencën në pikë me takimet direkte me pretendentët. Titulli do ta vendosë se cila skuadër do të jetë serioze në ndeshjet me skuadrat që pretendohet se janë dorëzuar për mbijetesë dhe cila skuadër do të jetë më e qetë dhe do ta ketë ditën e saj në përballje direkte, sepse edhe cilësia është afërisht e barabartë”, ka thënë Llumnica.
Këtë vit në garat ndërkombëtare...(gjerësisht në Koha Ditore)