Sport

Dje zbuluan shtatoren e Majlindës, sot xhudistët vazhduan me stërvitje të forta

Foto: Driton Kuka / Facebook

Stërvitjet e vazhdueshme dhe të forta e kanë bërë ekipin e Kosovës në xhudo një prej më cilësorëve në botë. Përcjellja e trendëve dhe stërvitjet me shumë ngarkesa janë “sekreti” i suksesit të Driton Kukës dhe nxënësve të tij. Këtë e përsërit trajneri Kuka vazhdimisht.

Xhudistët janë dukshëm sportistët më të mira në vend, ndërsa vlerësohen shumë lartë edhe në nivel ndërkombëtar. Të paktën pesë prej tyre do të marrin pjesë me normë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Kosova tashmë ka medalje të artë olimpike, falë Majlinda Kelmendit që shkëlqeu në Olimpiadën e kaluar.

Të premten Majlindës iu zbulua shtatorja që IJF-ja ia ka ngritur asaj në qytetin e Pejës. Por për Majlindën dhe ekipin olimpik të xhudos, kohë për pushim nuk ka. Xhudistet kanë vazhduar me stërvitje të forta menjëherë të shtunën.

“Nuk kemi kohë për pushim. Jemi në fazë shumë stresuese dhe shumë të ngarkuar me punë. Nesër udhëtojmë për një kamp olimpik në Çeki. Më pas Loriana Kuka garon në Marok. Më pas kemi garë në Rusi, e kemi Evropianin e shumë gara tjera që do të kulmojnë në Lojërat Olimpike. Nuk guxojmë të lëshojmë asnjë stërvitje. Dihet që në nivelin superior detajet e bëjnë dallimin. Nivelin që e kemi arritur mund ta mbajmë vetëm kështu, me punë maksimale dhe përkushtim të vazhdueshëm”, ka thënë Driton Kuka për Koha.net.