KOK-u shpërblen Fazliun, Ramadanin dhe hendbollistët

Kelmendi e Gjakova më të mirët e vitit 2019

27 February 2020 21:10
21:41

Xhudistët Majlinda Kelmendi e Akil Gjakova janë shpallur sportistët më të mirë të vitit 2019 nga KOK-u, në ceremoninë e mbajtur të enjten mbrëma.

Majlinda e ka fituar çmimin për herë të tretë, ndërsa Akili për herë të dytë.

“Falenderoj KOK-un për çmimin, veçanërisht falenderoj Toni Kukën dhe Agron Kukën për mbështetjen e tyre dhe punën e palodhshme. E falënderoj edhe Marius Vizerin, të parin e IJF-së. Është nder që e kemi këtu. Keni bërë shumë për sportin e xhudos dhe Kosovën, president Vizer. Pa ju nuk do të ishte e mundshme. Do të jemi gjithnjë mirënjohës për atë që keni bërë për ne”, ka thënë Akil Gjakova.

Majlinda gjatë vitit 2019 ka pasur suksese tjera kulmore dhe ishte e pakonkurrencë për sportiste të vitit.

“Falenderojë KOK-un për çmimin. Secili çmim me gëzon, pavarësisht sa kam fituar. Nder dhe kënaqësi që kemi mysafir personin që është përgjegjësi kryesor që Kosova i ka të gjitha medaljet në sport. Është presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer që na ka përkrahur jo vetëm ne xhudistët por të gjithë sportistët”, ka thënë Majlinda. Ajo më pas ka falenderuar Vizerin, që ka ardhur në Kosovë për të zbuluar shtatoren e Majlindës në Pejë. Shtatorja për kampionen olimpike është punuar me kërkesë të IJF-së, përkatësisht presidentit Vizer, mikut të madh të Kosovës.

Image
21:32

Driton Kuka, trajner i vitit

Ashtu si pritej, Driton Kukës i ka takuar çmimi i trajnerit më të mirë të vitit 2019. Kuka ka udhëhequr xhudistët drejt një viti shumë të suksesshëm.

Në fjalën e tij Kuka ka bërë thirrje për unitet, ndërsa ka përshëndetur veçanërisht presidentin e IJF-së, Marius Vizer. Kuka ka thënë se Vizeri ka hapur dyert e Kosovës për xhudo, por edhe për hyrje në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Vizerit po ashtu i është ndarë një çmim i veçantë nga KOK-u.

Image
21:25

Përfaqësueset e futbollit fitojnë çmimet e KOK-ut

Ceremonia e KOK-ut ka vazhduar me ndarjen e çmimeve për ekipet më të mira përfaqësuese. Ato i kanë fituar përfaqësueset e futbollit në të dy konkurrencat.

Për ekipin e meshkujve çmimin e ka pranuar Muharrem Sahiti. Ai ka thënë se mjetet që i takojnë përfaqësueses nga KOK-u, do të ndahen për portierin Arben Beqiri që po përballet me një sëmundje të rëndë.

21:10

KOK-u shpërblen Fazliun, Ramadanin dhe hendbollistët

Komiteti Olimpik i Kosovës po mbanë ceremoninë “Lauretatët 2019” në të cilën po shpërblen sportistët më të mirë të vitit të kaluar.

Ceremoninë po e nderon me pjesëmarrje Marius Vizer, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Çmimet e para janë ndarë për Shpresa të Vitit. Xhudistja Laura Fazliu dhe atleti Muhamed Ramadani i kanë fituar ato. Fazliu fitoi medalje të bronzta në kampionatin botëror dhe evropian për juniorë. Ndërkohë Ramadani fitoi të artën në hedhje të gjyles në Festivalin Olimpik Evropian.

“Jam krenare qe jam sportistja më e mirë për të reja. Ishte viti më i suksesshëm falë trajnerit tim, Driton Kuka. Shpresoj në suksese tjera këtë vit”, ka thënë Fazliu.

“Falenderoj trajnerin Shaban Ramadani dhe kryetarin e Federatës, Halil Sylejmani. Viti më i mirë në karrierën time, por pres suksese edhe më të mëdha këtë vit”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë KOK-u ka ndarë dy çmime speciale. Çmimi i parë Special i takoi përfaqësueses U-21 të Kosovës në hendboll për pjesëmarrje në Botëror. Sulmuesit të Kosovës në futboll, Vedat Muriqi i takoi Çmimi i dytë Special.

“Është mirënjohje e cila i dedikohet atyre që dhanë maksimumin dhe arritën të paraqiten në kampionat botëror. Një sukses i rëndësishëm për hendbollin dhe sportin në përgjithësi. I falënderoj të gjithë që kanë kontribuar për këtë sukses. Shpresoj se edhe ekipet tjera, ashtu si hendbolli, do të paraqiten në kampionate evropiane e botërore”, ka thënë presidenti presidenti i FHK-së Eugen Saraçini.

Image
Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme