Sport

Drenica shpreson të befasojë Dritën

Foto: KF Drenica

Pasi eliminoi Gjilanin në garën për Kupë të Kosovës, Drenica i humbi dy ndeshjet e para të stinorit pranveror në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Me synim për të fituar pikët e para këtë vit, Drenica e Skënderajt të premten (nesër) udhëton për në Gjilan, ku takohet me Dritën.

Ndeshja Drita – Drenica i takon xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll, ndërsa luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan nga ora 13:00. Të premten është edhe ndeshja Ferizaj – Llapi, që po ashtu fillon në ora 13:00.

Skuadrën e Gani Sejdiut, Drenicën, megjithatë nuk e pret punë e lehtë. Drita ka fituar derbin ndaj Gjilanit e më pas mposhti Vushtrrinë në udhëtim për të vazhduar garën për titull të kampionit. Drita është e dyta me 37 pikë, tri më pak se Ballkani që udhëheq. Ndërkohë Drenica është e teta me 24 pikë. Një humbje tjetër do të mund ta zhvendoste Drenicën në vend të nëntë, që në fund të kampionatit dërgon në kategorinë e dytë.

Drenica është mposhtur nga Ballkani në udhëtim, ndërsa fundjavën e kaluar edhe nga Prishtina në shtëpi.

“Në Kupë kaluam mirë, por në kampionat kemi pësuar dy humbje nga skuadrat cilësore që garojnë për titull. Kemi pasur shumë mungesa në dy ndeshjet e kaluara. Ndaj Dritës do të jemi më të kompletuar dhe është momenti i duhur që ta kthejmë situatën në favorin tonë edhe në kampionat. Ndryshe do të jetë situatë e vështirë për ne. Na pret një kundërshtar i fortë që është në garë për titull dhe që ka rritur moralin pas dy fitoreve. Kjo nuk duhet të na bëjë përshtypje. Duhet të shkojmë për rezultat pozitiv”, ka thënë trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka respekt për Drenicën. Thotë se nuk ka ndeshje të lehtë, por se synim i Dritës në çdo përballje është fitorja.

“Kualiteti është në anën tonë, por kjo nuk mjafton. Duhet të japim maksimumin për të fituar. Besoj se çdo futbollist do të jap më të mirën për të arritur qëllimin që kemi për këtë ndeshje. Kam besim te grupi i lojtarëve se do të menaxhoj ndeshjen në mënyrën më të mirë. Gjithsesi duhet të jemi të kujdesshëm sepse na vjen një ekip që ka humbur dy ndeshje dhe do të tentojë të reagojë”, ka thënë Nuhiu, raporton Koha.net.

Image
Image