Sport

Një muaj para ndeshjes vendimtare, forma e “dardanëve” nuk është më e mira

Vedat Muriqi nuk ka realizuar gol në katër ndeshjet e fundit. Milot Rashica nuk ka shënuar gol në Bundesligë që nga 14 dhjetori. Një muaj para ndeshjes vendimtare, forma e futbollistëve të Përfaqësueses së Kosovës nuk është më e mira.

Kosova më 26 mars luan në Shkup ndaj Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”. Nëse e fiton atë ndeshje, Kosova më 31 mars luan me Gjeorgjinë apo Bjellorusinë në finale. Me fitore eventuale do të kualifikohej në Evropianin e këtij viti.

Kosova është në seri prej tri humbjeve dhe sikur kjo të mos mjaftojë, disa prej lojtarëve më të mirë nuk po kanë shkëlqimin që tifozët e Kosovës shpresojnë që ta kenë ata.

Për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore shumë pritet nga sulmuesi Muriqi. Ai së fundi ka shënuar më 25 janar në fitoren 2:0 të Fenerbahçes ndaj Bashakshehirit. Prej atëherë ka kompletuar katër ndeshje kampionale, ndërsa në dy ndeshje për Kupë pushoi.

Të dielën Muriqi siguroi penallti për Fenerbahçen në humbjen 3:1 nga Galatasaray në derbin më të madh turk. Paraqitja e tij nuk u vlerësua e mirë nga mediat turke.

“Është pritur që Vedati të shpërthejë në derbi, pas paraqitjeve jo bindëse në ndeshjet e kaluara. Por ai ka luajtur një prej ndeshjeve më joefikase të edicionit. Ishte i humbur në fushë në mbrojtjen e ngjeshur të Galatasarayt”, ka shkruar gazeta turke Fanatik.

Bilanci i Muriqit megjithatë vazhdon të jetë shumë i mirë. Ai ka 12 gola e pesë asistime në 22 paraqitje në kampionatin turk. Në Kupë ka një gol e një asistim në dy paraqitje. Në vjeshtë ishte i pandalshëm, raporton Koha.net.

Tifozët presin shumë edhe nga sulmuesi i krahut, Milot Rashica. Rashica për Werder Bremenin në Bundesligë ka shtatë gola e tri asistime në 19 paraqitje. Për Kupë të Gjermanisë ka tri gola e një asistim në tri paraqitje. Derisa për Kupë shënoi së fundi më 4 shkurt, në Bundesligë nuk ka realizuar prej 14 dhjetorit, kur shënoi në humbjen 6:1 nga Bayerni. Werderi është në krizë të thellë rezultatesh dhe zërat për një largim të Rashicës në verë po shtohen vazhdimisht.

Dukshëm më shqetësuese mbetet situata te portierët. Portieri i parë, Aro Muriq, nuk ka mbrojtur që nga 17 nëntori, kur u aktivizua ndaj Anglisë. Te skuadra e kategorisë së dytë angleze, Nottingham Forest, vetëm së fundi ka nisur të grumbullohet. Nuk është opsion për të mbrojtur.

Edhe më gjatë në mes të shtyllave nuk ka qëndruar Samir Ujkani, portieri i dytë. Ndeshja e 10 tetorit ndaj Gjibraltarit mbetet e fundit për të. Te Torino është rezervist i vazhdueshëm.

Te mbrojtësit e djathtë situata është më e mirë. Florent Hadërgjonaj është stabilizuar te Kasimpasha në Turqi, ku u huazua nga Huddersfieldi anglez. Mërgim Vojvoda po luan rregullisht për Standard Liegen në Belgjikë.

Amir Rrahmani paraqitet vazhdimisht në formë të lartë te Verona në Serie A, ndërsa partneri i tij në qendër të mbrojtjes, Fidan Aliti, nuk ka nisur ende edicionin te Kalmari në Suedi. Së fundi ka luajtur një ndeshje për Kupë.

Prej mbrojtësve të majtë, Leart Paqarada paraqitet rregullisht për Sandhausenin në Bundesliga 2, kurse Benjamin Kololli ka humbur vendin e titullarit te Zuerichu në Zvicër. Po aktivizohet si zëvendësues, ndërsa në Zvicër luan më i avancuar se te Kosova.

Prej mesfushorëve, Hekuran Kryeziu ka luajtur vetëm një herë si zëvendësues te Zuerichu, pas kthimit nga lëndimi. Për të dhe Kolollin ka shpresë për më shumë minuta në vazhdim të kampionatit. Valon Berisha po luan për Fortuna Duesseldorfin në Bundesligë, ku u huazua nga Lazio. Por nuk po i kompleton ndeshjet, në procesin e kthimit në formën më të mirë. Herolind Shala nuk ka nisur edicionin në Norvegji me Valerengan, kurse ka munguar në disa miqësore të fundit. Kampionatin nuk e ka nisur as Anel Rashkaj në Finlandë, kurse Idriz Voca kryesisht po luan për Luzernin në Zvicër.

Arbër Zeneli është kthyer të shtunën për ekipin e dytë të Reimsit, pas mungesës shumë të gjatë. Ai është ende në fazë rikuperimi të plotë. Ndërkohë Edon Zhegrova ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Baselit. Javën e kaluar pësoi një lëndim. Besar Halimi herë luan e herë jo për Sandhausenin, ndërsa ka kohë që është në kërkim të kontinuitetit. Bersant Celina në ndeshjen e fundit qëndroi në stol, pasi më herët u kritikua nga tifozët e Swansea Cityt të kategorisë së dytë angleze.

Sulmuesi i dytë i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka qëndruar po ashtu në stol në ndeshjen e fundit. Ai nuk ka realizuar te Sheffield Wednesdayn i kategorisë së dytë angleze që nga 11 janari.

Janë këta lojtarët që kanë bartur barrën te Kosova në ndeshjet e fundit. Pak prej tyre janë në momentin më të mirë të mundshëm.

Megjithatë përzgjedhësi Bernard Challandes është i kënaqur me formën e lojtarëve të tij, ndonëse thotë se ajo nuk është perfekte.

“Në përgjithësi jam i kënaqur, edhe pse ka situatë të ndryshme te lojtarët. Disa po luajnë mire dhe në çdo ndeshje si Muriqi, Rashica, Berisha, Vojvoda, Hadërgjonaj e Ibrahim Dresheviq. Kurse disa të tjerë si në Suedi, Norvegji e Rusi, janë në fazë përgatitore. Situata nuk është perfekte, por është e mirë. Kemi edhe një muaj deri te ndeshja me Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Challandes për Koha.net.

Atë vazhdon ta brengosë porta.

“Problemi me portierët Muriq e Ujkani është ky që është. Nuk mund ta ndryshojmë situatën. Shpresoj që të paktën të luajnë nga një ndeshje deri te grumbullimi. Sa i përket Zenelit dhe Kryeziut është e rëndësishme që janë kthyer dhe shpresoj t’i kenë të paktën nga tri paraqitje me ekipet e tyre. Rashica e Muriqi po vrapojnë, po punojnë në ndeshjet e ekipeve të tyre dhe janë në formë të mirë. Nuk më shqetëson fakti që nuk po shënojnë gola”, ka shtuar Challandes.

Image