Sport

FSHF-ja dënime të rënda për Salihin e Osmanin

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vepruar me “dorë të hekurt” ndaj Skënderbeut, pas ngjarjeve që ndodhën gjatë përballjes së drejtpërdrejtë për luftën për titullin kampion, ndaj Kukësit në “Zeqir Ymeri”.

Ai takim përfundoi me rezultatin 2-0, duke bërë që Kukësi të shpallej zyrtarisht kampion i Kategorisë Superiore, por gjykimi la për të dëshiruar, teksa Skënderbeu e pa veten me dy lojtarë me pak, si pasojë e ndëshkimeve me të kuq të dy lojtarëve. Rasti më kontrovers ishte ai i penalltisë së paakorduar për korçarët, në pjesën e dytë, vendim pas të cilit Osmani u ndëshkua me të kuq dhe Salihi më pas i grisi kartonin e kuq arbitrit.

Për këto veprime, Disiplina ka vendosur që Osmanin ta përjashtojë për 8 ndeshje nga aktiviteti, me arsyetimin për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke përdorur fjalë fyese dhe duke u përplasur fizikisht. Po ashtu, për 10 ndeshje është dënuar edhe Hamdi Salihi, por ky për sjellje josportive në kundërshtim me etikën sportive, transmeton TCH.

Mes të dënuarve nga radhët e Skënderbeut është edhe zyrtari Gerhard Takaj, ndaj të cilit rëndon akuza për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke u dënuar me 18 muaj pezullim nga aktiviteti. Atij i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave apo territorin përreth fushës.

Ndërkohë, për shkak të sjelljes së gabuar të spektatorëve, Korça, Partizani dhe Flamurtari janë gjobitur me nga 100 mijë lekë, ndërsa Kukësi me 200 mijë lekë.

Komisioni i Disiplinës dënoi edhe lojtarin e Vllaznisë, Brunild Pepa, me dy ndeshje pezullim, sikurse edhe lojtarët e Flamurtarit dhe Laçit, respektivisht Ivan Jakovljeviç dhe Bruno Lulaj, për sjellje të keqe ndaj njëri-tjetrit.