Sport

Forma e lartë e futbollisteve të Kosovës para ndeshjes me Rusinë

Descriptive Text

Pesë futbolliste të përfaqësueses seniore të Kosovës janë paraqitur në turneun që të premten përfundoi në Itali. Kosova u rendit e para, ndërsa në finale fitoi 3:1 ndaj Moldavisë, raporton Koha.net.

Kosovën në turneun “Il Calcio e Rosa” e kanë përfaqësuar lojtare të grupmoshave U-16, U-19 e U-23. Por pesë prej tyre ftohen rregullisht në përfaqësuesen A. Ato kanë shfaqur formë të mirë para ndeshjes shumë të vështirë që luhet më 6 mars në Wiesbaden të Gjermanisë. Kosova do të takohet me Rusinë në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2021”. UEFA ka vendosur që kjo ndeshje të luhet në Gjermani, ndërkohë që për të ardhmen ka ndaluar ndeshjet e Kosovës me Rusinë.

Një prej lojtareve titullare të Kosovës, Kaltrina Biqkaj, ka shënuar dy gola në finale. Kosova në turne shënoi edhe tri fitore tjera, por kundërshtarët as për së afërmi nuk janë të nivelit të Rusisë.

“Pesë lojtare të ekipit senior ishim në turneun në Itali. Personalisht jam shumë e lumtur që kam shënuar në finale. Garat zyrtare nuk kanë filluar ende. Por jam e kënaqur me paraqitjen në këto ndeshje, pasi përafërsisht shihet forma”, ka thënë Kaltrina Biqkaj për Koha.net. 19-vjeçarja që luan për Mitrovicën, tashmë ka 18 ndeshje me përfaqësuesen A të Kosovës.

Kosova ka dy fitore e një humbje deri më tani në eliminatoret për “Euro 2021”. Ka fituar 2:0 ndaj Turqisë dhe 2:1 ndaj Estonisë, ndërsa ka pësuar 5:0 nga Sllovenia.

“Secili aktivitet ndërkombëtar është përvojë e mirë për ne. Ka pasur lojtare të grupmoshave të ndryshme, por ky turne na shërben shumë”, ka thënë Biqkaj.

Image