Sport

Vdiq ish-futbollisti mitrovicas Gëzim Kaçaniku

Ka vdekur ish-futbollisti i Trepçës ’89, Gëzim Kaçaniku. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi mitrovicas që ka shprehur ngushëllime.

Në një telegram ngushëllimi, Trepça ’89 ka thënë se “Kaqo do të të përkujtojmë gjithmonë të buzëqeshur, do të mbesin në kujtime ato batutat dhe humorin që gjithmonë e ke sjellë në klub”.

Së fundmi, Kaçaniku kishte punuar si trajner te Trepça. Ai njihej si sportist që kishte dhënë kontribut të madh për sportin në Mitrovicë.

Telegram ngushëllimi ka dërguar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi:

“Të nderuar drejtues dhe anëtarë të KF “Trepça” dhe KF “Trepça’89”,

Të nderuar dashamirë të futbollit në Mitrovicë,

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mikut tonë Gëzim Kaçaniku, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, që të Ju shpreh ngushëllimet e mija më të thella.

Kaqa, siç njihej nga të gjithë ne Gëzimi, dha kontribut të madh për futbollin e Kosovës, fillimisht si futbollist në epokën më të vështirë të saj, atë që njihet si periudha e sakrificës dhe e mbijetesës, e më pas edhe si trajner i shquar në edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të futbollit mitrovicas. Prandaj, humbja e tij është e madhe jo vetëm për familjen dhe KF ‘Trepça’ e KF “Trepça’89”, klube në të cilat dha kontribut si futbollist e trajner, por për mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.

Përkushtimi në punë, dashuria për futbollin, urtësia dhe profesionalizmi i tij bëjnë që Kaqa të mbetet gjithmonë në kujtesën e miqve, kolegëve, gjeneratave të reja, por edhe në historinë e futbollit tonë.

Kaqa ishte i veçantë, sepse përveç që ishte i palodhshëm ishte person shumë pozitiv, ngase edhe atëherë kur atmosfera nuk ishte e mirë, ai dinte që me batutat e tij të veçanta gjithçka ta kthente në pozitivitet.

Në këto momente të vështira për Ju, jemi pranë jush që të përballoni më lehtë dhembjen për më të dashurin tuaj.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt

Agim Ademi, president i FFK-së”