Sport

Shalës iu realizua ëndrra që siguroi normën për “Tokio 2020”

Mundësi kosovar Egzon Shala thotë se i është realizuar një ëndërr, që ka siguruar normën për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Shala, që garon në kategorinë deri 125 kilogramë në stil të lirë, kishte përfunduar i shtati në Botërorin e vitit të kaluar. Nga ai Botëror u kualifikuan gjashtë mundës.

Mirëpo, Federata Botërore e Mundjes të mërkurën ka njoftuar se Shala ka siguruar normën, me faktin se mundësi që e mposhti atë në repesash, siriani Badzha Khutaba, ka rezultuar i dopinguar.

“Po ndihem shumë mirë, por më mirë do të ndihesha sikur të fitoja normën gjatë garave. Isha pranë hyrjes në zonën e medaljeve. Është një ndjenjë shumë e mirë. Më është realizuar ëndrra”, ka thënë Shala për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës. “Askush nuk e ka pritur që Kosova do të fitojë normë olimpike në kategorinë më të fortë të mundjes, pasi kjo është pesha më e rëndë në mundje dhe shumë shtete të forta mbesin pa normë. Në Tokio nuk do të shkojë vetëm për pjesëmarrje, do të udhëtojë për të fituar medalje”.