Sport

Atletico hesht dyshuesit me fitoren ndaj Liverpoolit

Descriptive Text

Ka pasur shumë dyshime këtë stinor nëse Atletico Madridi është në gjendje të riprodhojë sukseset e viteve të kaluara. Por, të martën mbrëma kundër Liverpoolit dominant, Diego Simeone iu kthye stilit të vjetër me të cilin arriti sukses të madh, raporton Reuters.

Fitorja 1:0 e të martës mbrëma ndaj Liverpoolit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales ishte një përmbledhje e plotë e asaj që e ka bërë Atleticon ekip të madh në tetë vitet e fundit nën drejtimin e Diego Simeones.

Tifozët e mëdhenj, goli i hershëm i shënuar nga Saul Niguez, lufta e lojtarëve në çdo pjesë të fushës dhe po ashtu Diego Simeone plotë energji në vijën anësore.
 

“Nuk e di nëse Diego ka parë shumë lojë, pasi ai në mënyrë konstante po nxiste tifozërinë”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.

Liverpooli dhe ish-klubi i tij Borussia Dortmund, janë të njohur për atmosfera në ndeshjet në kupat evropiane, por Klopp ishte i impresionuar me atmosferën në “Wanda Metropolitano” të Madridit të martën.

“Ne flasim për Anfieldin dhe fuqinë që një stadium mund të ketë. E pamë këtë sonte”, tha Klopp pas ndeshjes.

Simeone ka shtuar: “Nuk harron kurrë netë të tilla, një nga skuadrat më të mira të vijë këtu dhe ne të fitojmë. Unë mund të mbajë në mend disa netë të tilla gjatë tetë viteve sa jam në krye të Atleticos. Ishte vërtetë emocionale”.


Atletico ka zënë vend në mesin e klubeve më të mëdha të Evropës në vitet e fundit, por ka pasur një stinor të tmerrshëm. U eliminua në rrethin e tretë të Kupës së Spanjës, ka pasur probleme të shumta me lëndime dhe është 13 pikë prapa liderit të La Ligas, Real Madridit.

“Duke mbetur prapa në ligë, jashtë Kupës së Spanjës dhe me largimin e ish-kapitenëve Diego Godin e Gabi, çdo gjë sinjalizonte fundin e një epoke. Por, papritmas erdhi një jo. Në testin më të vështirë, ndaj ekipit më të mirë në Evropë, Atletico u ngritë sërish dhe tregoi një nga përformancat më të mira të veta në vite”, ka shkruar gazeta “AS”.

“Edhe kampionët si Liverpooli mbesin duke u lutur për mëshirë kur përballen me një dentist si Atletico”, ka shkruar gazeta “El Pais”.

Te Atletico kishte eufori të madhe në përfundim të ndeshjes, por e kanë të kuptueshme se pjesa më e vështirë është në 90 minutat në Anfield të Liverpoolit. Kloppi ka folur për fuqinë e stadiumit të klubit të tij, para se të paralajmëronte “Mirësevini në Anfield”.

Por, Simeone nuk ka dashur të dijë për fuqinë e Anfieldit.

“Unë nuk do të flas për këtë”, ka thënë ai.