Legjenda e Barcelonës, Carles Puyol është i bindur se Lionel Messi ka potencial për të luajtur së paku deri në moshën 38-vjeçare.
Ylli argjentinas Messi do të mbushë 33 vjet në qershor dhe po vazhdon të impresionojë në La Liga këtë stinor, ndërsa ka shënuar 14 gola dhe asistuar 12 tjerë në 19 ndeshje.
“Messi është 32-vjeçar dhe një lojtar që kujdeset për veten si ai mund të luajë deri në moshën 38-vjeçare. Pse po flasim për një Barcelonë pa Messin kur ai është aty? Ajo që duhet të bëjmë është të fitojmë sa më tepër që është e mundur me të”, ka thënë Puyol për “Marca”.
Messi ka kontratë me Barcelonën deri në verën e vitit 2021, ndërsa është spekuluar për një largim të tij në verë pas mosmarrëveshjes së argjentinasit me drejtorin e klubit Eric Abidal.