Sport

Bashkimi i diasporës shqiptare përmes futbollit

Shqiptarë nga pjesë të ndryshme të Zvicrës, por edhe nga Gjermania, Austria e Italia, po vërshonin palestrën sportive Seeblick, në periferi të St.Gallenit në Zvicër, qytetit, që gjendet buzë liqenit të madh Bodensee e që lidh tri shtetet, Zvicrën, Gjermaninë e Austrinë.

Me iniciativë të klubit të futbollit Besa, njërit ndër klubeve të para shqiptare në Zvicër, themeluar në vitin 1992, në fillim të muajit shkurt po mbahej turneu i futbollit të vogël, që tubon klube e futbollistë nga Zvicra dhe shtetet përreth, raporton KTV.

“Genigips Cup” është turneu tradicional, i paraparë për dy ditë në sallën simpatike “SeeBlick” që ka marrë emrin “Salla me pamje nga liqeni”, për shkak se gjendet pranë bregut të liqenit Bodensee, në vendbanimin Morschwill, pranë qytetit St. Gallen.

St. Galleni një qytet i vjetër në Zvicër, që daton që nga shekulli i tetë, numëron sipas statistikave të vitit të kaluar, rreth 167 mijë banorë. Ka shumë shqiptarë në këtë qytet, por nuk dihet asnjëherë numri i saktë, edhe pse në tërë Zvicrën llogariten mbi 300 mijë shqiptarë, si komuniteti i tretë më i madh në shtetin helvetik.

Ka shumë klube të futbollit në këtë vend dhe nën patronatin e klubit më të njohur në këtë vend FC St.Gallen, ku edhe luajnë shumë futbollistë shqiptarë në të gjitha kategoritë.

Dy klube shqiptare janë themeluar nga ky qytet, Dardania dhe FC Besa, skuadra këto që bëjnë gara në kategoritë e ulëta të futbollit në Zvicër.

Besa, si njëri ndër klubet më të vjetra shqiptare në Zvicër, tradicionalisht organizon turneun e madh të futbollit të vogël, por udhëheqësit e këtij klubi, njihen edhe për organizime e aktivitete të ndryshme. Për t’u solidarizuar me popullin në Shqipëri që u prek rëndë nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, në bashkëpunim me klubin e futbollit, Dardania dhe klubin Plisat, mblodhën 100 mijë franga zvicerane për familjet e prekura nga tërmeti.

Shqiptarët janë komunitet i bashkuar dhe shumë i organizuar në Zvicrën Lindore. Dallimet dhe përkatësitë e ndryshme, nuk vlejnë për shqiptarët në St. Gallen.

Turneu tradicional i futbollit të vogël që për qëllim ka bashkimin e diasporës shqiptare në Zvicër, tuboi 56 skuadra nga vende të ndryshme, por me lojtarë të dëshmuar në Zvicër.

I ndarë në dy ditë për t’u zhvilluar, të shtunën e 1 shkurtit, morën pjesë skuadrat që përbëheshin nga firmat e kompanitë e ndryshme në Zvicër, por edhe të shqiptarëve të suksesshëm në këtë vend.

Organizatori i turneut, presidenti i klubit të Besës, Bekim Dalipi, të vetmin qëllim për ta mbajtur këtë turne e ka bashkimin e shqiptarëve nga e gjithë Zvicra.

Për ta organizuar një turne të tillë, duhet shumë punë dhe shumë njerëz, por edhe mbështetës financiarë, e që klubit Besa nuk i mungojnë.

Turneu që nisi të shtunën në mëngjes, u mbyll në mbrëmje me ekipin fitues nga gara e kompanive, ‘ANT AG’ që fitoi garën në mesin e 20 skuadrave pjesëmarrëse.

Por me t’u mbyllur turneu, shikuesit e shumtë nisën argëtimin me programin muzikor, nën tingujt e çiftelisë nga folkloristi Martin Gojani, që krijoi atmosferë fantastike me këngët me motive patriotike.

Ditë e vranët dhe me shi ishte e diela e 2 shkurtit në St.Gallen.

Qetësi në qytet dhe rrugët e tij.

Por pak kilometra më larg, në sallën Seeblick, kishte nisur turneu kualifikues i 36 skuadrave, që synim kishin epitetin e më të mirit.

Në këtë turne, zakonisht kanë marrë pjesë fytyra të njohura të futbollit kosovar.

Vite më parë, merrte pjesë e fitonte edhe Kristian Nushi, ish-futbollisti i Kosovës, ndërsa kësaj radhe, pjesë e turneut, ishte edhe ish-futbollisti i Besës e Drenicës në Superligën e Kosovës, Granit Çekaj.

Bashkëlojtar i Granitit është edhe Arbnor Morina, dikur një lojtar futsalli, duke qenë i ftuar edhe në kombëtaren e Zvicrës për garat ndërkombëtare.

Shumë shikues në sallë përcillnin nën emocione ndeshjet shumë cilësore të turneut, që duke shkuar bëhej edhe më interesant.

Pak para ndeshjeve vendimtare, organizatori i turneut kishte përgatitur një befasi për shikuesit, për t’i pushuar pak nga ndeshjet e forta dhe për t’i bërë gati për finalen.

Në terrenin e lojës, u ftuan ekipet e grupmoshave të klubit FC Besa, që në këtë formë tregonte fuqinë organizative të klubit.

Në Zvicër ekipet e grupmoshave njihen si juniorë dhe ndahen në kategorinë A, D, E dhe F e G.

Të gjitha këto i ka klubi i shqiptarëve në St.Gallen, e madje, në mesin e juniorëve të FC Besës, janë 6 futbollistë të rinj, që stërviten rregullisht edhe në akademinë e futbollit të ekipit më të vjetër të Zvicrës, aktualisht liderit të Superligës zvicerane, FC St. Gallen.

Koha për finalen e madhe të turneut Genigips Cup, ku në ndeshjen vendimtare kishin arritur njëri nga favoritët e turneut ekipi ‘VT24ASC’ dhe përballë ekipi me emrin ‘Pizzeria Serenata’, i panjohur për të pranishmit dhe me vetëm 5 lojtarë në përbërje.

Por këta të rinj, bënë që e tërë salla të ngrihej në këmbë dhe finales t’i jepte epitetin e merituar. Që në pjesën e parë, ekipi autsajder bëri befasinë duke realizuar madje 4 gola.

Në pjesën e dytë, favoritët u këndellën dhe shënuan tre gola, për ta bërë finalen dramatike dhe shumë rivalizuese.

Në disa çaste kishte edhe situata tensionuese e lojë të ashpër, por publiku në sallë ishte i interesuar për korrektësi dhe nuk falte asgjë.

Vërshëllima e fundit pas tetë minutave lojë të pjesës së dytë përcaktoi për fitues ekipin e 5 të rinjve që kishin marrë pjesë në shumë turne, por për herë të parë, po e fitonin në St.Gsallen.

Më meritori për këtë triumf, 19-vjeçari Feriz Sadiku, që kishte qenë edhe pjesë e Kosovës U 17 dhe U19.

Organizatori ndau trofetë për tri ekipet më të mira të turneut. Shpalli si lojtar më të mirë të turneut Feriz Sadikun e ekipit fitues, ndërsa ndau çmimin edhe për portierin më të mirë të turneut për Blerim Haxhiajn.

Një vikendi të jashtëzakonshëm në St.Gallen po i vinte fundi, por që sipas organizatorit të turneut, qëllimi ishte arritur. Asnjë incident në fushën e lojës, e lojëra tepër korrekte e rivalizuese, shumë pjesëmarrës dhe shumë shikues, që nëse për asgjë, janë bashkuar, në një mënyrë ndryshe.