Sport

Emocionet e ndeshjes së prag-Pavarësisë

Pasi në debutimin evropian kishte kaluar Junior Fasanon e Italisë, skuadra e hendbollit Prishtina fitoi rastin të luajë një prej ndeshjeve që kanë mbetur në histori të sportit kosovar. Bëhet fjalë për ndeshjen që i parapriu festës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kur të gjithë në vend tashmë e dinin se të nesërmen do të shpallej Pavarësia e Kosovës, në mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2008, Prishtina u takua me Arkatronin e Minskut të Bjellorusisë, në kuadër të 1\8 së finales të Challenge Cup. Ndeshja e parë ishte luajtur më 9 shkurt 2008 në Minsk të Bjellorusisë.

Arkatroni fitoi 29:16 ndaj Prishtinës që në atë takim ishte goditur nga lëndimi i disa lojtarëve. Më 16 shkurt 2008 në Palestrën e Vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë luhej ndeshja e kthimit. Palestra ishte vërtetë e vogël për t’i zënë të gjithë tifozët. Ajo u stërmbush me 3000 shikues. Festa në vend kishte nisur tashmë për Pavarësinë që u shpall më 17 shkurt 2008. Festë kishte edhe në palestrën kryesore në vend. Kënga e animi nuk ndalej.

Ngjyrat bardh e kaltër të Prishtinës dominonin në tribuna. Koreografia e tifozëve të Prishtinës, Plisat, ishte po ashtu e veçantë. Në tribunën kryesore, pak pa nisur ndeshja, u shpalos një pano e madhe me shkrimin “WELCOME TO INDEPENDENT KOSOVA”. Tifozët shpërthyen në emocione, ndërsa përkrahja për Prishtinën nuk u ndal gjatë tërë ndeshjes. Pritja e tifozëve për lojtarët e ekipit bjellorus nuk ishte prej më miqësoreve po ashtu.

Ndeshjen e veçantë e fitoi Prishtina me rezultatin 37:36, por nuk ia doli të avancoi tutje, për shkak të humbjes dukshëm më të thellë në ndeshjen e parë. Një xhiro më parë, Prishtina kishte kaluar Fasanon e Italisë, për suksesin e vetëm të deritashëm në Evropë.

“Nuk harrohet kurrë ai takim. Në ditët e fundit po e kujtojmë atë ndeshje, atë atmosferë të jashtëzakonshme. Ishte moment i veçantë, po pritej shpallja e Pavarësisë”, ka thënë Arben Muqolli, tani trajner te skuadra pejane Besa Famgas. Gjiganti Muqolli ishte i pandalshëm në takimin e 16 shkurtit të vitit 2008. Kishte shënuar plot 12 gola për Prishtinën. Veton Hajrizi, Alban Dobroshi, Tafil Haxhiu, Aldrin Zekaj ishin disa prej lojtarëve tjerë. Prishtina ka pasur në përbërje edhe disa maqedonas.

Image

“Do të mbahet gjatë në mend ajo ndeshje”, thotë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës. “Edhe po të porositej nuk do të vinte në kohë më të mirë. Ishte uvertura më e mirë për shpalljen e Pavarësisë së pritur 100 vjet. Palestra e mbushur, atmosfera e paparë dhe koreografia perfekte dhe emocionuese, bënë që mysafirët në fund të humbin takimin thuajse të fituar”.

Pas ndeshjes festa u bart në rrugët e sheshet e Prishtinës, ku gjendeshin mijëra të tjerë. Kulmoi të nesërmen, më 17 shkurt 2008.