Sport

Antje Moelnder-Schmidt mposhti kancerin për t’u bërë kampione e Evropës

Descriptive Text

Antje Moeldner-Schmidt ishte në mesin e atleteve më të mira në botë në vrapim me pengesa kur u diagnostikua me kancer në vitin 2010. Ajo e fitoi këtë betejë e më pas edhe medaljen, por ka edhe një vlerësim për gjërat e vogla në jetë.

“Ishte vërtet e vështirë”, ka thënë Antje, kur është pyetur për ndjenjat që ka pasur pasi është detyruar të heqë dorë nga garat në sportin që e adhuron, transmeton Koha Ditore shkrimin e Deutsche Welle.

Kësaj here nuk ishte kanceri që e detyroi kampionen evropiane të vitit 2014 të tërhiqej përfundimisht, por një lëndim i vazhdueshëm i këmbës, që i pamundësoi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Antje Moeldner-Schmidt mendonte të pensionohej pas “Tokio 2020”, por në fakt nuk do të marrë pjesë fare, pasi tashmë është pensionuar.

E në vitin 2010, gjermania tash 35-vjeçare, nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të vraponte sërish, e lëre më të fitonte titull të Evropës. Ai ishte viti kur atletja gjermane, që në atë kohë ishte në mesin e atleteve më të mira në botë në 3000 metra vrapim me pengesa, u diagnostikua me kancer të gjëndrës limfatike.

“Pas shokut fillestar, dëshira ime ishte të kthehesha në atletikë sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet të kisha qenë pak naive. Por ndoshta kjo më ndihmoi të adaptohem më shpejt me situatën”, ka thënë Antje Moeldner-Schmidt.

Por ajo nuk ishte në gjendje të kthehej në atletikë aq shpejt sa kishte shpresuar dhe gjatë fazës së rikuperimit, ajo duhej të frenohej nga gjitha aktivitetet e lodhshme fizike.
“Më duhej të pushoja, pasi ashtu më thanë”, ka thënë ajo.

Ajo është penduar për këtë, pasi që efektet e ushtrimeve gjatë terapisë për kancer janë vërtetuar si të dobishme.

Kthimi pasi mposhti kancerin

Moeldner-Schmidt nuk është sportistja e vetme elitare që është diagnostikuar me kancer. Fituesi i shtatëfishtë i garës më të madhe të çiklizmit “Tour de France”, Lance Armstrong, ishte diagnostikuar me kancer në testise. Ai gjatë kishte përdorur luftën e tij kundër kancerit për të përçuar një imazh të pastër te publiku. Amerikani më vonë konfirmoi se ishte i dopinguar gjatë periudhës kur fitoi titujt dhe titujt në “Tour de France” iu morën. Futbollistët gjermanë, Heiki Herrlich dhe Marco Russ, po ashtu, bënë luftërat e tyre me kancerin.
Antje Moeldner-Schmidt, po ashtu, ia doli të kthehej në atletikë.

“Në fillim ishte shumë e vështirë. Më duhej të bëja një apo dy ditë pushim mes seancave stërvitoreve, pasi trupit tim thjesht i duhej më tepër kohë për t’u rikuperuar pas kemioterapisë dhe seancave të rrezatimit”, ka rikujtuar atletja.

Në vitin 2012 ajo fitoi medaljen e bronztë në 3000 metra me pengesa në Kampionatin Evropian të Atletikës në Helsinki. Vite më vonë, pasi që medalistja e argjendtë Svitlana Schmidt nga Ukraina u kap me doping pas ritestimit të mostrave, Moelnder-Schmidtit iu dha medalja e argjendtë.

Në vitin 2014, Moeldner-Schmidt arriti momentin më kulmor në karrierë, duke fituar të artën në 3000 metra me pengesa në Evropianin në Zuerich.

“Ai ishte momenti kur i gjithë stresi thjesht u zhduk. Sigurisht duhet të mendosh për sëmundjen që e ke kaluar, nuk mund ta mohosh këtë”, ka thënë gjermania.

Një perspektivë e re për jetën

Mirëpo, vetëm më vonë ajo vërtet ka arritur t’i vlerësojë arritjet që ka pasur dhe rikuperimin.
“Më vonë përballesh me këtë në mënyrë krejt ndryshe. Sigurisht se më ka bërë më të ndjeshme. Unë shijoj momentin dhe kohën me familjen time. Dhe kam mësuar t’i kushtoj vëmendje më tepër trupit tim, kur diçka nuk më duket në rregull”, ka thënë Moeldner-Schmidt.

Kjo perspektivë e re duket se ka qenë faktor i madh në vendimin për t’u pensionuar nga atletika, ndonëse sporti do të vazhdojë të jetë pjesë e madhe e jetës së saj. Të qenit fizikisht aktiv është një gjë që ajo ua rekomandon të gjithëve, veçanërisht atyre që janë diagnostikuar me kancer. Ajo thotë se aktiviteti fizik ndihmon gjatë terapive të mundimshme.

Moeldner-Schmidt, po ashtu, beson se është me rëndësi që të mos vendosen synime aq të mëdha.
“Është me rëndësi të përjetosh sukses të vogël kur vjen te sporti e terapia dhe thjesht ta shijosh jetën”, thotë ajo.