Sport

Muriqi, “dardani” i vetëm që po lufton për titull me skuadrën e tij

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll kohëve të fundit është vazhdimisht në kërkim të fitoreve dhe po e synon suksesin e madh për pak javë – kualifikimin në “Euro 2020”. Por ky entuziazëm i fitoreve nuk i përcjell shumë te skuadrat ku bëjnë karrierë.

Në fakt, vetëm një reprezentues titullar i Kosovës është në garë për titull me skuadrën e tij. Është sulmuesi Vedat Muriqi me skuadrën Fenerbahçe. Të tjerët po luftojnë për mbijetesë me skuadrat e tyre apo janë në mesin e tabelës, shkruan sot Koha Ditore.

Fenerbahçe prej edicionit 2013/14 nuk ka triumfuar në elitën e Turqisë dhe këtë edicion, me Muriqin në sulm po shpreson ta realizojë këtë synim. Muriqi te Fenerbahçe u transferua para fillimit të këtij edicioni si përforcim i madh dhe deri më tash po dëshmohet si i tillë. Ai ka shënuar 12 gola në 19 ndeshje kampionale, duke ndihmuar skuadrën nga Stambolli të mbetet në pjesën e epërme të tabelës. Pas 20 xhirove, Fenerbahçe zë vendin e katërt me 37 pikë, katër më pak se Sivasspori që është lider.

“Ëndërroj që në fund të këtij edicioni të shpallem kampion me Fenerbahçen. Ky është edhe synimi im, pasi tifozët tanë ka kohë që presin një sukses të tillë”, pati thënë më herët Muriqi.

Pos Muriqit, edhe drejtuesit e klubit presin sukses të tillë. Pikërisht, për këtë, Fenerbahçe gjatë afatit kalimtar të janarit refuzoi të gjitha ofertat për Muriqin. Skuadrat nga Premier League, si Tottenham, Manchester United e Burnley ishin të gatshme të paguanin nga 20 deri në 28 milionë euro dëmshpërblim.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)