Sport

FFK-ja mban sot Kuvendin e përfolur gjatë

FFK-ja mban sot Kuvendin e përfolur gjatë

Dy muaj pasi Dukagjini i Klinës ofroi përkrahje publike për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, Federata e Futbollit të Kosovës mban Kuvendin Zgjedhor të saj. Më 27 nëntor, Dukagjini i Klinës lëshoi një komunikatë, ku bëhej e ditur se tashmë kishte zhvillime që për synim kishin ndryshimet në Federatën më të madhe sportive në vend. Ka pasur shumë zhvillime prej atëherë. Pak gjëra janë bërë të ditura, ndërsa shumë gjëra kanë mbetur të paqarta. Për shumë prej zhvillimeve mund të vihet dritë në Kuvendin që të hënën (sot) mbahet në Hotelin Emerald, nga ora 15:00.

Federata e Futbollit të Kosovës ka dhënë fare pak informata për Kuvendin e së hënës pasdite. FFK-ja ka njoftuar se Kuvendi do të jetë zgjedhor, por vetëm për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, e jo edhe për kryetar të Federatës, shkruan Koha Ditore. Një pjesë e klubeve e vlerësojnë të padrejtë, e madje edhe shkelje të statutit, që të zgjidhen vetëm anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, e jo të ketë zgjedhje edhe për të parin e Federatës – kryetarin. Në FFK thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për kuvend.