Kampionia olimpike në xhudo, Rafaela Silva suspendohet për dy vjet shkaku i dopingut

Kampionia olimpike në xhudo, Rafaela Silva suspendohet për dy vjet shkaku i dopingut

26 January 2020 10:35

Kampionia olimpike në xhudo, Rafaela Silva ka rezultuar pozitive në doping testin, për çka është suspenduar për dy vjet, e që do të mund t’ia rrezikojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike në Tokio 2020.

Braziliania thotë se do ta dërgojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi kishte rezultuar pozitive në një substancë që ishte e ndaluar në Lojërat Panamerikane në Lima, transmeton Koha.net.

Kampionia olimpike në Rio 2016 është suspenduar pasi ka rezultuar pozitive në substancën fenoterol, raporton Judoinside.

27 vjeçares i është hequr medalja e artë, por gjatë një konference për media ajo ka deklaruar se është e pafajshme.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Konfederata Braziliane e Xhudos (CBJ), Rafaela Silva ka angazhuar avokatin Marcelo Franklin për të apeluar vendimin nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF).

Derisa procesi ligjor është duke u zhvilluar, as IJF dhe as Silva nuk e kanë komentuar vendimin.

“Jam shumë e bindur se do të dëshmoj se substanca fenoterol ka hyrë aksidentalisht në trupin tim dhe nuk ishte përdorur për rritjen e performancës sportive. Do të luftoj deri në fund për ëndrrën që të përfaqësoj vendin tim në Lojërat Olimpike Tokio 2020, sepse e di që s’kam bërë asgjë gabim dhe se në fund drejtësia do të triumfojë”, është shprehur Silva.

Kurse CBJ ka konfirmuar mbështetjen për atleten, duke e quajtur atë “një shembull brenda dhe jashtë tatamit dhe një nga idolet më të mëdha të këtij sporti në Brazil”.

Feneroli përdoret për të trajtuar astmën dhe Silva pretendon se ajo ka dalë e pastër në testin që kishte bërë në Kampionatin Botëror në Tokio, në fund të gushtit 2019, tre javë pas Lojërave Panamerikane në Lima të Perusë.

Kujtojmë se Silva kishte rrëmbyer medaljen e artë në Peru dhe të bronztën në Tokio, por ajo nuk ka garuar që nga tetori 2019.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme