Pas përvojave të suksesshme në Lituani e Izrael, Lis Shoshi është dashur që këtë edicion (2019\2020) të testohet në nivel serioz evropian. Më 14 qershor të vitit të kaluar basketbollisti i Kosovës firmosi me skuadrën e madhe të Bundesligës gjermane, s.Oliver Wuerzburg.
Shoshi po planifikonte që me Wuerzburgun të shpërthente në nivelin e lartë evropian. Dhe, përnjëherë, edicioni që është dashur të ishte i shpërthimit, u shndërrua në edicion të humbur për njërin prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses së Kosovës. 25-vjeçari nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë edicion dhe as që pret të luajë në vazhdim të tij. Kalimi në klubin gjerman ka dështuar dhe ai po punon për një kthim të suksesshëm vetëm në edicionin e ardhshëm, 2020\2021, shkruan sot Koha Ditore.
Në mes të korrikut, Shoshi ishte bashkuar me përfaqësuese në përgatitje për raundin e tretë parakualifikues për “Eurobasket 2021”. Në fund të korrikut Kosova luajti miqësore me Shqipërinë, që ishte fatkeqe për basketbollistin pejan. Ai pësoi lëndim të krahut dhe nuk mundi të ndihmonte përfaqësuesen në ndeshjet e muajit gusht. Më 12 gusht skuadra gjermane angazhoi lojtar tjetër dhe shkëputi kontratën me Shoshin, basketbollistin e gjatë 211 centimetra.
(shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)