Sport

Solskjaeri në vijën e zjarrit, por problemet e Man. Utd janë më të thella

Manchester Unitedi luajti fazën e fundit në humbjen turpëruese 2:0 nga Burnley në prani të shumë ulëseve të zbrazëta, duke ngritur pyetjen se sa gjatë do të mbijetojë kryetrajneri Ole Gunnar Solskjaer.

Skuadra e Manchester Unitedit, tek e cila kishte luajtur Solskjaer gjatë viteve të lavdishme me Alex Fergusonin në krye, ishte e famshme për shpëtimet e mëdha, por lojtarët e tashëm të rinj po dështojnë të dëshmohen, shkruan sot Koha Ditore.

Solskjaeri tash ka humbur më tepër ndeshje në Premier League, sesa që ka fituar, qëkur i është dhënë detyra e plotë në mars, pas tre muajve impresiv si trajner i përkohshëm.

Emërimi i tij dukej vendim i nxituar nga zëvendëskryetari ekzekutiv, Ed Woodward, që fajësohet nga një numër i madh i tifozëve të Unitedit për rënien e klubit.

Ata që qëndruan deri në fund të fitores së parë të Burnleyt në “Old Trafford” që nga viti 1962, e bënë këtë për të treguar mendimin që kanë ndaj Woodwardit dhe pronarëve amerikanë të klubit, ndërsa atmosfera në “Old Trafford” u kthye në helmuese.

Ish-mbrojtësi i Unitedit, Rio Ferdinand, një fitues i Premier Leagues dhe Ligës së Kampionëve, i ka bërë thirrje familjes Glazer, pronares së klubit, që të ndalë këtë prishje.
“Tifozët po largoheshin pas 84 minutave. Është një turpërim. Njerëzit në krye duhet të shikojnë këtë dhe të bëjnë ndryshime”, ka thënë Ferdinand për “BT Sport”. “Rënia në një periudhë aq të shkurtër, pasi ka vetëm shtatë vjet, ka qenë shumë e madhe”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)