Sport

Ish-talenti i Romës nuk bëri punë as në ligën e Bosnjës

Ish-talenti i Romës, sulmuesi Valmir Berisha, sërish ka mbetur pa klub. Ai nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari as te Velezhi i Mostarit. Skuadra elitare e Bosnjë-Hercegovinës ka lënë të lirë Berishën, duke ia ndërprerë kontratën gjashtë muaj më herët. Nëpërmjet një njoftimi të bërë të mërkurën, Velezhi i ka dëshiruar suksese në të ardhmen Berishës.

Kosovari iu bashkua këtij ekipi në muajin shkurt të vitit 2019, derisa po luante në kategorinë e dytë të Bosnjës. Berisha nuk ka bindur me paraqitjet këtë edicion dhe për këtë arsye drejtuesit e klubit ia kanë shkëputur kontratën, me të filluar fazën përgatitore për pjesën e dytë që nis në fund të muajit të ardhshëm.

“FK Velezh me marrëveshje të dyanshme ka shkëputur kontratën me dy futbollistë. Bëhet fjalë për Elmir Kuduzoviqin dhe Valmir Berishën. Bëjmë të ditur se Berisha i është bashkuar klubit tonë në shkurt të vitit të shkuar derisa Kuduzoviq ka qenë prej verës së vitit 2017. Klubi falënderon futbollistët dhe iu dëshiron suksese në vazhdim të karrierës”, thuhet në njoftimin e ekipit boshnjak.

Berisha këtë edicion ka pasur vetëm 11 paraqitje te Velezhi në të gjitha garat, duke realizuar tre gola. Ai në të shumtën e ndeshjeve kampionale nuk është përfshirë fare në skuadër. Në 19 xhiro të zhvilluara, ai është aktivizuar në vetëm nëntë prej tyre. Velezhi pjesën e parë të këtij edicioni e ka mbyllur në pozitën e tetë në tabelë me 25 pikë. Në fakt, Berisha para një viti ishte transferuar me bujë të madhe, pak edhe për shkak të së shkuarës së tij. Mirëpo, sikurse në klubet e tjera, edhe te Velezhi nuk ka arritur të japë atë që i parashikohej qëkur ishte 17 vjeç... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)