Sport

Arteta lavdëron Xhakën për paraqitjen ndaj Chelseat

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lavdëruar mesfushorin Granit Xhaka, për paraqitjen në ndeshjen me Chelsean të martën.

Derbi i Londrës u mbyll baras 2 me 2, me Arsenalin që për 70 minuta u paraqit me një futbollist më pak në fushë, pas ndëshkimit me karton të kuq të qendërmbrojtësit David Luiz.

Pas këtij rasti, tek Arsenali Xhaka u kthye në qendër të mbrojtjes, e kjo duket se i ka lënë mbresa trajnerit spanjoll.

“Që nga dita e parë, kam folur me të. Sigurisht ishte pak konfuz pas shumë gjërave që i kishin ndodhur në jetë dhe në familje. U përpoqa ta bindja se ishte vendi i duhur këtu që të luante. Doja të provoja t’i jepja rastin të shijonte futbollin sërish. Gjithçka që i kërkoj të bëjë, në çdo stërvitje, ai është i vëmendshëm dhe ka dëshirë ta bëjë. Sot, e dija që nga momenti që e kam vënë në atë pozitë, nuk e dija se si do t’ia dilte, por e dija që do të jepte gjithçka. Ishte i mrekullueshëm”, ka thënë Arteta pas takimit, teksa ka shtuar se dëshiron që këtë sjellje dëshiron ta ketë te secili lojtar.

Në anën tjetër, Xhaka ka thënë se ekipi tregoi karakter pas përjashtimit të Luizit.

“Luajtëm shumë mirë pas kartonit të kuq. Ishte vështirë, por treguam shpirtin ekipor. Po flisnim pas pjesës së parë se mund t’ia dalim dhe dy herë u rikthyem andaj jam shumë krenar me këtë ekip. Pas ndeshjes të gjithë do të flasin për ne. Treguam karakter të madh. Shumë njerëz thonë se nuk kemi karakter në ekip, andaj pas ndeshjes treguam se kemi”, ka deklaruar Xhaka për “BT Sport”.

Ai ka pranuar se mbrojtja nuk është pozitë e preferuar për të.

“Shpresoj që qendra e mbrojtjes nuk është pozita ime e re, por trajneri e di se mund të luaj edhe aty. Përpiqem të ndihmoj ekipin dhe djemtë rreth meje e bënë më të lehtë punën për mua”, ka shtuar reprezentuesi i Zvicrës.