Sport

Pesë vjetët “e verdhë” të Shirkos

Kroati Henrik Shirko është vetëm njëri prej dy lojtarëve të Pejës që kanë luajtur në të gjitha 18 ndeshjet e këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll dhe shtatë të tjerat në Ligën Ballkanike.

Nëse nuk llogaritet Dardan Berisha, që ka vetëm dy ndeshje kampionale e dy në Ligën Ballkanike, aloja Shirko ka të dhënat statistikore më të mira te skuadra e Pejës.

Ai po jep kontribut të madh për fanellën e verdhë të Pejës. Te Peja po e vlerësojnë shumë e edhe ai është i kënaqur me të gjitha në skuadër. Edhe me ngjyrën e fanellës po ashtu, shkruan sot Koha Ditore.

Peja është skuadra e katërt rresht e Shirkos që luan me fanella të verdha. Këtë ngjyrë e kishin edhe fanellat e Splitit (Kroaci), Peristerit (Greqi) dhe Zabokut (Kroaci).

“E vërtetë, më është lidhur karriera me skuadra që kanë fanella të verdha. Ka pesë vjet që luaj me këtë ngjyrë”, ka thënë Shirko të hënën për gazetën.

Ai të dielën mbrëma e ndihmoi Pejën në fitoren e madhe ndaj Sigal Prishtinës, në derbin e Superligës së Kosovës në basketboll (82:76). Peja mbetet në vend të gjashtë, por ka synime për titull e kupë e po ashtu për sukses në Ligën Ballkanike. Ndaj Prishtinës, Shirko (198 cm) kontribuoi me 13 pikë e gjashtë kërcime. Me ardhjen e Dardan Berishës dhe me Drilon Hajrizin në formacion, Shirko nuk do ta ketë shumë barrën e shënimit të pikëve. Ai në Superligë po luan me mesatare prej 19,2 pikëve e 9,2 kërcimeve për ndeshje. Në Ligën Ballkanike mesatarja e tij për ndeshje është 18,4 pikë e 9,6 kërcime.

Kroati 27-vjeçar është te Peja prej fillimit të edicionit. Ka luajtur edhe për Shibenikun, Shirokin, Kvarnerin e Zarën. Para se t’i bashkohej Pejës, kaloi dy javë te Zaboku.

“Gjatë verës firmosa kontratë të hapur në Kroaci. Më pas erdhi ftesa e trajnerit Jeronimo Sharin dhe vendosa që t’i bashkohem atij te Peja. Kam dëgjuar më parë për Pejën, pasi kam luajtur me Teo Shimoviqin, që është shok imi e i cili më parë ishte te Peja. Kosova është vend i mirë, për ne nga Dalmacia është pak ftohtë, por po mbahemi. Liga është interesante, në udhëtim nuk ka ndeshje të lehta, ndërsa edhe në shtëpi kemi fituar me shumë mund. Kjo dëshmon për kualitetin e ligës. Peja ka synime të mëdha, ndërsa synimet e mia janë të jem shëndosh dhe të jap maksimumin për skuadrën në secilën ndeshje. Në klub më kanë pritur shumë mirë, duke përfshirë lojtarët, trajnerët, drejtuesit e tifozët”, ka thënë Shirko. Ndaj Prishtinës atmosfera në “Karagaç” ishte e zjarrtë.

“E kam ditur se do të jetë atmosferë e mirë, pasi Peja është klub me traditë dhe qytet i basketbollit. Por nuk e kam ditur se do të jetë atmosferë kaq e zjarrtë kundër Prishtinës. Ne në Kroaci nuk kemi rivalitet të tillë”, ka thënë Shirko.