Sport

Gjakova shpallet xhudistja më e mirë e Kampionatit Shtetëror

Descriptive Text

Xhudisja kosovare, Nora Gjakova është shpallur xhudistja më e mirë e Kampionatit të Kosovës për seniorë që u mbajt në palestrën sportive “Karagaq” në Pejë.

Këtë e ka bërë të ditur trajneri i xhudos, Driton Kuka, duke theksuar se Nora do t’i prijë ekipit tonë të ri që do të marrë pjesë në Grand Prix-in e radhës.

“Ndarja e medaljes për Nora Gjakovën që sot u shpall xhudistja më e mirë e Kampionatit Shtetëror! Test i mirë para Grand Prix Tel Aviv! Nora do i prijë ekipit tonë të ri që do marrë pjesë në Grand Prix-in e radhës”, ka shkruar Kuka.

Kuka më herët bëri me dije se në këtë kampionat morën pjesë afër 100 garues dhe të gjithë ata që pretendojnë gara ndërkombëtare sivjet.

“Ishte edhe një ditë me emocion sepse nga referimi aktiv u nda Adem Ademi dhe për kontributin e tij iu nda mirënjohja jetësore për kontributin e tij në sportin e xhudos”, tha Kuka.

Ndërkaq, trajneri i shumëtrofeshëm kosovar, Driton Kuka, tha se sot pati luftëra të forta e interesante dhe garuesit më të mirë u shpallën Selim Berisha për meshkuj dhe Nora Gjakova për femra.

“Përveç Majlindës e Akilit, morën pjesë të gjithë garuesit si dhe Ekipi Olimpik dhe kjo i dha pamje të bukur Kampionatit me garues të nivelit botëror në garë”, theksoi Kuka.