Sport

Luftëtarja e UFC-së tregon për kritikat me të cilat u përball pasi neutralizoi një hajdut

Një vit më parë, ylli i UFC-së, Polyana Viana, mori ligjin në duart e veta. Derisa po priste taksinë jashtë shtëpisë së saj në Rio de Janeiro, Vianas iu afrua një mashkull, që mbante në dorë një armë false, në tentim për t’ia rrëmbyer celularin.

Ajo që ndodhi bëri bujë botërore, transmeton Koha Ditore shkrimin e CNN.

E patrembuar nga hajduti, Viana ia dha dy grushte dhe një goditje me këmbë hajnit para se ta mbërthente derisa kishte rënë në tokë.

Luftëtarja braziliane vazhdoi ta mbante atë derisa erdhi policia. Hajduti fillimisht u dërgua në spital për të kuruar lëndimet e më pas u dërgua në stacionin policor, ku Viana dorëzoi ankesën.
“E mbaj në mend çdo gjë, sikur të më ketë ndodhur dje. Vëmendja nuk zgjati shumë, por njerëzit ende më pyesin për këtë”, ka treguar Viana.

Storia e saj është mbuluar nga mediat nëpër botë dhe është shpërndarë me mijëra herë në rrjetet sociale.

Fotot nga incidenti madje u paraqitën edhe në llogarinë në Instagram të presidentit të UFC-së, Dana White, duke treguar lëndimet e tmerrshme që kishte marrë hajduti.

Fama e re e fituar ishte një gjë që Viana e shijoi dhe u mundua të përdorte atë për të fuqizuar femrat e tjera, që mund të gjenden në situata të ngjashme.

Mirëpo, ajo edhe u kritikua, pasi disa thoshin se incidenti nuk është shembull që duhet ndjekur.

“Më është dukur mirë t’u tregoj femrave të tjera se ne jemi në gjendje të mbrojmë veten. Por, u përballa edhe me shumë kritika. Unë injorova shumicën prej tyre, jeta ime kishte qenë në rrezik dhe ndjeva se bëra gjënë e duhur. Pavarësisht nëse bën gjënë e duhur apo të gabuar, gjithmonë do të ketë kritika. Në përgjithësi vëmendja ishte e mirë për mua”, ka thënë Viana.

Në atë kohë departamenti i policisë në Rio de Janeiro nuk ishte në gjendje të konfirmonte individët e përfshirë në incident, por i tha CNN Sport se ka ndodhur një tentim plaçkitjeje.....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)