Qendërmbrojtësi shqiptar i Arsenalit, Shkodran Mustafi, ka folur se si përballet me kritikat që merr kur bën paraqitje jo të mira në fushë.
Ai ka thënë se presioni është shumë i madh dhe nuk e ka të lehtë përballjen me të.
“Si qendërmbrojtës keni shumë presion, por nganjëherë bëni gabime dhe papritmas presioni rritet edhe më shumë. Për t’u përballur me këtë presion s’është e lehtë. Si qendërmbrojtës ju duhet të bëni punën tuaj në mënyrë të përsosur për të pasur lojë normale”, ka thënë ai për uebfaqen zyrtare të Arsenalit.
“Kur fitoni të gjitha ndërhyrjet, kur fitoni gjithçka në fushë, por më pas bëni një gabim dhe ndëshkoheni, kjo ju shkatërron gjithçka që keni bërë më herët. Kjo është diçka që e bën këtë pozitë shumë më të vështirë. Sigurisht je i zhgënjyer sepse askush nuk është i lumtur të bëjë gabime, por kur unë bëj një gabim dhe ne pranojmë gol, shkoj në zhveshtore dhe ndihem i zhgënjyer që kam dëshpëruar bashkëlojtarët. Kjo është gjëja e parë. E shihni secilin lojtar dhe mendoni ‘në rregull, kanë punuar aq shumë dhe një nga gabimet e mia na ka humbur ndeshjen’. E fajësoni veten. Jam pak i ashpër me veten time kur bëj gabime. Kjo është diçka që duhet të mësoheni se si të përballeni me të sepse ditën tjetër ktheheni në ushtrime dhe do të fokusoheni që të mos bëni më gabimet e njëjta”, ka shtuar ai.
“Ka ndikuar edhe tek unë, por më është dashur të përballem me të sepse nuk dua të bëj gabimin e njëjtë përsëri. Dua të shkoj në ushtrime dhe të tregoj se do të jem këtu për bashkëlojtarët. Jam këtu për ekipin, jam këtu për fansat”, ka thënë ai, transmeton koha.net.
Mustafi, që ka më shumë se 700 mijë ndjekës në Twitter e më shumë se një milion në Instagram, ka thënë se është munduar t’i bllokojë rrjetet sociale.
“Rrjetet sociale nganjëherë është vështirë t’i përballosh kur gjërat po ecin mirë dhe kur diçka nuk shkon mirë është më e vështirë. Kur gjërat po ecin mirë, është lehtë të lexosh komente dhe të pëlqesh atë që lexon. Kjo të jep vetëbesim, por duhet të jeni të kujdesshëm të mos ‘lazdroheni’ sepse ju duhet të qëndroni profesionist. Më pas ka gjëra që s’janë të mira, sigurisht, nuk i pëlqeni t’i lexoni. Ju s’pajtoheni me shumë komente, andaj kjo e bën të vështirë. Është shumë më lehtë kur gjërat shkojnë mirë sepse kur lexoni komente që s’ju pëlqejnë, ju duhet të shkoni e të luani, dhe keni në kokë ato komente”, ka shtuar Mustafi. “Kam tentuar t’i bllokoj nga pak. Nuk isha aq aktiv në rrjete sociale dhe s’po lexoja komente, nuk po shqetësohesha, doja vetëm të kthehesha në fushë dhe të jepja gjithçka sepse e dija se në këtë moment nuk do të luaja futbollin që e di se mund ta luaj”.
Mustafi ka vetëm tri paraqitje këtë sezon në Premier Ligë, ndërsa pesë në Ligën e Evropës. Ai është përfolur se mund të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit.