Sport

Arteta s’përjashton mundësinë e largimit të Mustafit

Foto: The Guardian

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit të Shkodran Mustafit në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht mungesave dhe problemeve në mbrojtjen e ekipit.

Qendërmbrojtësi shqiptar nuk është paraqitur për Arsenalin që nga koha kur u fajësua për gabimin që i dha fitoren Chelsean në muajin e shkuar.

Galatasaray është interesuar për 27-vjeçarin, me disa raportomë që thoshin se agjenti i lojtarit ka udhëtuar drejt Turqisë për të përfunduar transferimin.

“A mund ta përballojmë? Skenari ideal është jo”, ka thënë trajneri i “Topçinjve”. “Nëse ndodh, do të duhet të shpikim diçka”.

Arteta ka mbetur edhe pa qendërmbrojtësin Calum Chambers që është lënduar dhe do të mungojë gjatë, ndërsa edhe Hecton Bellerini e Kieran Tierney do të mungojnë për një kohë.

Duke folur për Mustafin, Arteta ka thënë se e njeh qysh në kohën kur ishte tek Evertoni dhe se varet nga ai nëse dëshiron largimin.

“E njoh që kur isha tek Evertoni. E di se çka mund të bëjë ai. E njoh historinë e këtij klubi, por është në duart e tij. U kam thënë të gjithëve që nga dita e parë: Është në duart tuaja. Ju duhet të më tregoni çka doni, më tregoni përkushtimin tuaj, do të keni shansin dhe do të vijë këtë javë, javën tjetër ose më pas. Të gjithë kanë shansin të luajnë. Gjithçka është në duart e tyre”, ka thënë spanjolli.