Sport

Nëna i bashkohet djalit në sportin e shigjetarisë

Ndodh shpesh që fëmijët t’i përcjellin prindërit e tyre në sport. Janë shumë të përhapura rastet kur fëmijët vendosin për karrierë në sportin, në të cilin prindërit e tyre kanë suksese.

Por ka edhe pak raste kur prindërit shkojnë pas fëmijëve. Vendosin për karrierë në sportin me të cilin fillimisht janë prezantuar fëmijët e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Pikërisht kjo u ka ndodhur Leart Mustafajt dhe nënës së tij, Rrezarta Mustafaj. Learti fillimisht vendosi të merrej me sportin e shigjetarisë (harkut) e më pas “shoqe” e skuadrës iu bë nëna, Rrezarta. Ndonëse karriera e tyre nuk është e nivelit më të lartë, ky rast është paraqitur edhe në mediat gjermane. Familja Mustafaj jeton në Gjermani.

“Kur djali e sjell nënën në sport”, ishte titulli i shkrimit të publikuar gjatë javës në gazetën gjermane “Main Post”.

Përmes një filmi, Learti, 11-vjeçar, është motivuar për të provuar me hedhjen e saktë të shigjetave me hark. Dhe tani po avancon gradualisht në karrierë.

“Kur isha gjashtëvjeçar kam shikuar një film për shigjetarinë. Pasi kam parë filmin kam dashur shumë që edhe unë të provoj shigjetarinë”, ka thënë Learti. Ai është pjesë e klubit me traditë Wuerzburg.

Fillimisht në stërvitje Leartin e ka dërguar nëna e tij, Rrezarta. Për një vit e gjysmë vetëm e ka dërguar në stërvitje, ka përcjellë stërvitjet e tij dhe e ka kthyer në shtëpi pas tyre.

Rrezarta e ka marrë shumë seriozisht shigjetarinë

Me kalimin e kohës edhe te Rrezarta u shfaq dëshira për të provuar harkun.

“Duke e parë djalin tim duke ushtruar, sporti më kaploi edhe mua. Kështu vendosa të ushtroj edhe vetë”, ka thënë Rrezarta. Shigjetarinë, Rrezarta e llogarit sport të saj tashmë. Ka arritur suksese në gara të ndryshme lokale e rajonale në Bavari. Së fundi e fitoi një garë, ndërsa kishte rezultatin më të mirë se të gjithë meshkujt pjesëmarrës.

Rrezarta punon si konsulente në një servis veturash dhe thotë se shigjetaria e ndihmon për të mbajtur balancën.