Sport

Gjyqtarët vendorë në bojkot, Superliga angazhon të huaj

Gjyqtarët vendorë në bojkot, Superliga angazhon të huaj

Gjyqtarë të huaj do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në basketboll, me të cilën edhe nis pjesa e dytë e këtij edicioni pas një pauze prej tri javësh. Arsyeja e angazhimit të gjyqtarëve të huaj nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), është bojkoti i atyre kosovarë.

Vendorët qysh muajin e shkuar kanë paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve nëse FBK-ja nuk ua shlyen borxhet që ka ndaj tyre. Në atë takim, gjyqtarët kosovarë kishin kërkuar që të shlyhen borxhet ndaj tyre deri në fund të vitit, duke paralajmëruar bojkotin e ndeshjeve të Superligës për pjesën e dytë nëse nuk ndodh një gjë e tillë. Pasi nuk janë shlyer të gjitha borxhet, gjyqtarët kanë refuzuar të ndajnë drejtësinë dhe nuk kanë pranuar marrëveshjen e ofruar nga FBK-ja, në takimin e fundit të mbajtur gjatë kësaj jave, shkruan sot Koha Ditore.