Ardeno mposht në finale ekipin shkupjan, Sux Impex

Ardeno mposht në finale ekipin shkupjan, Sux Impex

31 December 2019 13:33

Edicionin e dytë të turneut të Republikës së Kosovës në futsall, e ka fituar skuadra Ardeno, që në finale e mposhti Sux Impexin me rezultat 3:2.

Ardeno e kishte fituar edhe vitin e kaluar këtë turne të futsallit.

Për ekipin Ardeno luanin futsallistët më të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë, si Ramadan Alaj, Agon Ramadani, mentor Mejzini, Narcist Alibegu, ndërsa përballë kishin ekipin nga Shkupi, ku luanin futsallistë shqiptarë që përfaqësojnë edhe Maqedoninë në futsall, raporton “Sporti në KTV”.

Rexhep Sylejmani kaloi shkupjanët në epërsi që në minutën e parë, por Alibegu e barazoi rezultatin nga penalltia, para se Kemajl Gashi tw kalonte Ardenon në avantazh pas 16 minutave lojë.

Në pjesën e dytë, Rexhep Sylejmani barazoi rezultatin në 2:2 për Sux Impexin, por njëri nga lojtarët më të mirë të futsallit në vend, Alaj shënoi për të përcaktuar fituesin.

Turneu masiv i futsallit në fundvit është zhvilluar në palestrën “Bill Klinton” në Ferizaj duke nisur nga 17 dhjetori, ndërmjet 32 skuadrave të ndara në 8 grupe, me ndeshjet në grupe dhe më pas me fazën e eliminimit.

Para finales së madhe, u zhvilluan disa ndeshje revyale, ku u dallua dueli ndërmjet yjeve të futbollit të madh me lojtarët Armend Dallku, Debatik Curri, Muhamet Dragusha, Arsim Abazi, e Genc Hyseni kundër yjeve të futsallit si Synaj e Suad Keqi, Mehmet Kurda, Orhan Krasniqi, Haki Ahmeti e Faton Zejnullahu.

Këtë duel e fituan yjet e futsallit, me rezultat 4:2.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme