Shndërrimi i Evertonit në pretendues për trofeun e Ligës së Kampionëve nuk do të jetë “mision i pamundur”, sipas trajnerit të ri, italianit Carlo Ancelotti.
Ish-trajneri i Milanit, Real Madridit, PSG-së, Bayernit, Chelseat e Napolit, ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2024 me Evertonin dhe të hënën u prezantua te kjo skuadër. Ai ka marrë drejtimin e Evertonit në momentet më të vështira të këtij ekipi, pasi renditet në pozitën e 15-të në tabelë, me vetëm katër pikë larg zonës së rënies.
Në fakt, Ancelotti 60-vjeçar mori drejtimin e Evertonit vetëm një javë pas shkarkimit nga Napoli, shkruan sot Koha Ditore.
“Liga e Kampionëve është synim afatgjatë dhe objektiv. Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Kështu që, e shoh në të ardhmen e afërt Evertonin pretendues për trofeun më të çmuar në Evropë. Por, fillimisht të fokusohemi në kampionat ku na pret një punë e madhe”, është shprehur Ancelotti. “Më pëlqen ekipi i Evertonit që është i përbërë prej lojtarëve të vjetër dhe talenteve. Ka një miksim të mirë lojtarësh dhe unë besoj se do të largohemi nga pozita aktuale në të cilën gjendemi”.
Evertoni nuk ka përfunduar në top-katër të Anglisë që nga viti 2005, kurse kjo ishte hera e parë që e kishte bërë prej vitit 1988. Klubet e vetme në karrierën e Ancelottit që si trajner nuk ka arritur fitore në 50% të ndeshjeve ishin ekipet italiane Reggiana e Parma në fund të viteve ‘ 90. Ai ka fituar tri herë trofeun e Ligës së Kampionëve, dy herë me Milanin dhe një herë me Real Madridin. Ka triumfuar edhe në Premier League me Chelsean, kurse tituj të kampionit ka fituar edhe te Bayern Muencheni e PSG-ja.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)