Nëse Mikel Arteta merr detyrën e trajnerit tek Arsenali, ai do të përballet me shumë probleme në mesfushë e në mbrojtje. Kështu nis një analizë mediumi britanik “SkySports” në të cilën ka përmendur edhe mesfushorin shqiptar Granit Xhaka, si ndër pikat e vështira me të cilat Arteta mund të përballet tek “Topçinjtë”, transmeton Koha.net.
Spanjolli pritet të marrë udhëheqjen e klubit ku ishte lojtar vjet më herët, pas një krize të madhe rezultatesh në sezonin e ri e pak kohë pas shkarkimit të Unai Emeryt. Sipas “SkySports”, me fitoren e fundit të Manchester Cityt, ku Arteta është asistent i trajnerit Pep Guardiola, “Arteta ka mundur të shihte hapësirën e jashtëzakonshme në mesfushën e Arsenalit dhe ka parë se si mbrojtësit ktheheshin prapa dhe më pas edhe më prapa, duke e ftuar Kevin De Bruynen dhe bashkëlojtarët e tij të Cityt të afroheshin te zona pa bërë asnjë ndërhyrje”.
“Ai ka parë kokat e ulura dhe krahët e ngrysur të një grupi të lojtarëve pa vetëbesim”, thuhet ndër të tjerash në këtë analizë.

Arsenali është më afër zonës së rënies nga Premier Liga se sa nga vendet që çojnë në Ligën e Kampionëve. “Topçinjtë” kanë pranuar më shumë gola pas 17 ndeshjesh se në çdo sezon tjetër të Premier Ligës. Kjo është hera e parë që kanë goldiferencë negative në këtë fazë.
“Te Manchester City, Arteta ka pasur luksin të punonte me Fernandinhon, një maestro në artin e mbrojtjes. Tek Arsenali, gjithsesi, ai do të gjejë një grup lojtarësh në të cilin opsioni i vetëm me eksperiencë për këtë rol, Granit Xhaka, ka mungesë të shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së kërkuar, dhe të tjerët, Lucas Torreira 23 dhe Matteo Guendouzi 20, mbesin të papjekur”, thuhet në pikën për mesfushën e Arsenalit.