Kampionia që zgjodhi datën për të vdekur

Kampionia që zgjodhi datën për të vdekur

15 December 2019 14:54

Shampanjat ishin hapur dhe po u shërbeheshin mysafirëve nëpër dhomë. Disa njerëz qëndronin brenda apartamentit të Marieke Vervoortit, duke mos ditur se çfarë të thonë apo të bëjnë. Ishte një kremte, Vervoort kishte siguruar mysafirët. Por, nuk ndihej njëjtë si e tillë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë Vervoort kishte marrë letrat e nevojshme për vdekje të vullnetshme të asistuar nga mjeku, që njihet si eutanazi. Që si tinejxhere ajo ishte duke luftuar me një sëmundje degjenerative të muskujve që ia rrëmbeu përdorimin e këmbëve, ia hoqi pavarësinë e saj dhe i shkaktoi dhembje të mëdha dhe të pandalshme.

Letrat që kishte marrë kishin sjellë një sens të kontrollit. Sipas ligjit belg, ajo ishte e lirë t’i jepte fund jetës së saj kurdo që të donte.

Mirëpo ajo vazhdoi të jetonte, gjeti një motiv shtesë. Brenda pak vjetëve ajo arriti majat në karrierën e saj në gara me karrocë të invalidëve, duke fituar edhe medalje të artë në Lojërat Paralimpike, shkruan NYT, transmeton Koha Ditore. U bë person i famshëm në shtëpi dhe jashtë, duke u paraqitur nëpër faqe të revistave ndërkombëtare dhe në gazeta, duke dhënë intervista edhe nëpër televizione. Ajo udhëtoi nëpër botë duke rrëfyer storien jetësore, duke u bërë inspirim për të tjerët.

Por ajo i kishte prapë letrat. Dhe tash, pas më tepër se një dekade paqartësi dhe dhembje e gëzim, duke e hapur jetën e saj private për shokët, të huajt dhe gazetarët, duke inspiruar të tjerët, Vervoort kishte ftuar të afërmit në shtëpinë e saj për arsyen më të rëndë:

Brenda tri ditëve ishte caktuar data për vdekjen e saj të vullnetshme.

“Është një ndjenjë e çuditshme, shumë e çuditshme”, thotë nëna e saj, Odette Pauwels, në këtë festë të organizuar.

Mysafirët e Vervoortit po pinin dhe po bënin bisedë, por e kishin të vështirë të përmbushnin kërkesën e saj që të gjithë të jenë të lumtur. Kishte edhe dolli. Por, më tepër kishte dhembje.

Ishte edhe një paqartësi, nëse është vërtet fundi apo mund të ndryshohej mendja. Gati tre vjet kishin kaluar që kur dy gazetarë të “New York Times”, nisën të kalonin kohë me kronikën për Vervoortin dhe qëllimin e saj për t’i dhënë fund jetës, duke shikuar një top-sportiste të marrë kontrollin e fatit të saj në mënyrë të jashtëzakonshme. Duke qenë rreth saj në atë kohë ndihej nganjëherë si një lamtumirë e zgjatur.

Ajo kishte qenë pranë të caktonte datën për eutanasi në disa raste, por gjithmonë kishte ndërruar mendje, duke gjetur një arsye për të bërë këtë. Dilte ndonjë gjë. Bëhej ndonjë konflikt. Caktohej një datë tjetër e më pas një arsye tjetër për të jetuar.

Shoqëria e saj dhe familja e kanë shikuar këtë betejë shumë më gjatë se të tjerët, një luftë e pafund mes dhembjes së vazhdueshme të saj dhe gjetjes së një arsyeje apo plotësimi të vogël për të vazhduar të jetojë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme