Sport

Soldado ia pa sherrin ushqimit të tepruar te Reali

Mos i merrni parasysh Zinedine Zidanen ose Roberto Carlosin, harroni edhe Raulin, Luis Figon e David Beckhamin dhe të njëjtën gjë bëni edhe me Iker Casillasin, Sergio Ramosin, Xavin e Andres Iniestan.

Injoroni jo vetëm “galaktikët”, por edhe qindra futbollistët e tjerë që ishin bashkëlojtarë në udhëtimin 14-vjeçar të sulmuesit nëpër tetë klube, tri shtete dhe Përfaqësuesen e Spanjës, shkruan sot Koha Ditore. Kur Roberto Soldado më të vërtetë dëshiron t’i bëjë përshtypje të birit të tij, ai i thotë se dikur ka luajtur së bashku me anglezin Harry Kane.

Ish-sulmuesi i Tottenhamit, Soldado imiton bisedat me të birin nëntëvjeçar, Enzon që i flet vetëm për Kanen dhe jo futbollistët e tjerë të mëdhenj, më të cilët ka luajtur gjatë karrierës aktive. Soldado thotë se ka një arsye të fortë për këtë.

“Enzo e adhuron shumë futbollin dhe kur shikojmë ndeshjet nëpër Premier League dhe Kanen duke shënuar gola, i them atij që unë kam luajtur me këtë njeri. Enzo impresionohet kur i tregoj se kur isha pjesë e Tottenhamit, Kane ishte më i ri dhe unë jam shumë i lumtur për sukseset e tij”, thotë Soldado 34-vjeçar. “Gjithmonë them se periudha më e keqe e karrierës sime ishte te Tottenhami, e them këtë për shkak se një djalosh 20-vjeçar, si Kane, që e kam ndihmuar shumë gjatë kohës sa isha pjesë e atij klubi anglez, e kam pasur konkurrent të madh”.

Ky është vetëm njëri prej tregimeve të shumta të Soldados që ia tregon të birit Enzos. Këto tregime, Soldado zakonisht ia tregon pasi të kthehet në shtëpi nga stërvitjet e lodhshme që zgjasin 90 minuta te Granada, ekip që është kthyer këtë edicion në La Liga dhe synim e ka mbijetesën. Te Soldado të gjithë kanë shpresat më të mëdha, pasi mbështeten në përvojën e tij dhe tash për tash, sulmuesi spanjoll po e dëshmon veten si një përforcim i qëlluar. Në fakt, Soldado po vrapon më shumë se të gjithë lojtarët e tjerë edhe pse është më i moshuari në ekip.

Soldado ka mundur të tërhiqet nga futbolli shumë lehtë, por pas dy vjetësh në Fenerbahçe, ai donte të kthehej në shtëpi dhe të vazhdonte të luante. Ai është në gjendje më të mirë se kurrë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)