Sport

Shtetet nikoqire të Botërorit 2026 kanë arsye të shpresojnë në sukses

Në kampionatin botëror të gjeneratës U-17 që u mbajt muajin e shkuar në Brazil, skenën ndërkombëtare e pushtuan SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja. Me lojën e treguar në këtë turne, këto tri skuadra paralajmëruan se tashmë kanë filluar të mendojnë për Kampionatin Botëror të vitit 2026 për seniorë.

Pikërisht në këtë botëror që do të mbahet në këto tri shtete - SHBA, Meksikë e Kanada - pritet shpërthimi i disa talenteve që ishin të jashtëzakonshme në turneun e mbajtur në Brazil.

Më poshtë janë emrat e tre futbollistëve që tashmë janë përshkruar si yjtë e së ardhmes dhe pritet të shkëlqejnë në botërorin që do të mbahet pas shtatë vjetëve. Të tre futbollistët janë pjesë e ekipeve të shteteve organizatore të botërorit të vitit 2026.

Efrain Alvarez (LA Galaxy & Meksikë)

Luan në rolin e mesfushorit, por Efrain Alvarez thjesht mund të jetë futbollisti më i lakmuar i Amerikës së Veriut që nga koha Freddy Adus. 17-vjeçari i ekipit Los Angeles Galaxy po vlerësohet si “talenti më i madh që ka pasur ndonjëherë liga MLS”, raporton BBC, transmeton Koha Ditore.

Madje Alvarez po shihet më i talentuar sesa sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq, të cilin e kishte bashkëlojtar te LA Galaxy. Situata e tij është paksa e ndërlikuar pasi Alvarez është subjekt i një lufte ndërkombëtare. I lindur në Kaliforni prej prindërve emigrantë nga Meksika, “Efra”, siç e ka nofkën, u rrit në qytetin e Los Angelesit dhe iu bashkua ekipit U-9 të LA Galaxyt kur ishte shtatë vjeç. Edhe në atë moshë ai po tërhiqte disa admirues me talentin që po shfaqte.

Një prej ndeshjeve të tij në atë sezon u shikua edhe nga Eric Cantona. Legjenda e Manchester United - atëbotë drejtor i futbollit te New York Cosmos - ishte në qytet për disa ndeshje të ekipeve U-17 dhe U-19. Por, ishte Alvarez ai që mori vëmendjen e tij. Cantona me këtë rast tha: “Unë kam parë mjaft; thjesht dua ta shikoj këtë fëmijë tërë ditën”.

Zhvillimi i Alvarezit vazhdoi dhe kur arriti në ekipin U-14, ai realizoi 24 gola në 19 ndeshje, kurse kontratën e parë profesioniste e firmosi një vit më vonë, duke u bërë futbollisti më i ri në historinë e futbollit amerikan. Alvarez me 15 vjet u promovua edhe në ekipin e parë dhe gradualisht nisi të integrohej. Ai fillimisht nisi të luante me ekipin e dytë të LA Galaxy dhe u bë lojtari më i ri që realizoi “hat-trick” në kampionatin e ekipeve rezervë përpara se të shpallej lojtari më i mirë i ri i vitit në SHBA për vitin 2018.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)