Sport

FIFA e UEFA shpejt mësojnë “anën e errët” të futbollit kosovar

Foto: Koha

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është i shqetësuar. Ai i UEFA-s, Aleksander Çeferin, kërkon kujdes. Udhëheqësit e dy organizatave më të fuqishme të futbollit janë njoftuar së fundi për “luftën” në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe dyshimet për përfshirje të politikës në të.

Kështu, pas lajmeve të mira për suksesin e Përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe për pritjen shembullore të tifozëve dhe lojtarëve të Anglisë, në Federatën Ndërkombëtare dhe në Konfederatën Evropiane të Futbollit kanë nisur të shkojnë informatat për “anën e errët” të futbollit kosovar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ditëve të kaluara mediat në Maqedoninë Veriore e më pas edhe ato në Serbi kanë shkruar për mundësinë që Kosova të suspendohet nga UEFA e FIFA për përfshirje të politikës në çështje të brendshme të FFK-së. Të shtunën vetë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka njoftuar Infantinon dhe Çeferinin për zhvillimet e fundit. Sipas njoftimeve zyrtare të FFK-së, Ademi është takuar me Infantinon e Çeferinin në Varshavë të Polonisë, ku mori pjesë në një organizim të Federatës polake.

“Presidenti Infantino shprehu shqetësimin për gjendjen e krijuar së fundi në futbollin e Kosovës, duke pasur parasysh se ai e ka të dukshme simpatinë për punën e presidentit Ademi dhe të FFK-së. Infantino vazhdimisht ka thënë se te kosovarët e gëzon një respekt të madh dhe merr falënderime sa herë që i takon ata. Presidenti Infantino po e ndjek me kujdes gjendjen në futbollin e Kosovës dhe shprehu keqardhje për ato që po ndodhin. Organet e FIFA-s nuk do të lejojnë që grupe të tilla të provojnë ta dëmtojnë futbollin dhe inkurajojnë delegatët e Kuvendit të FFK-së që të mos ndihen të dëmtuar apo të shantazhuar nga njerëzit me ndikim”, thuhet në një prej shumë njoftimeve që FFK-ja ka lëshuar në fundjavë.

“Presidenti Çeferin u shpreh i shqetësuar dhe i habitur se si mund të ndodhë kjo në Kosovë dhe si dëmtohet procesi në sport. Ai shprehu përkrahjen e fuqishme për presidentin Ademi dhe stafin e tij, duke treguar gatishmëri që t’i mbrojë në rrugën e drejtë dhe të vështirë për ta mbajtur futbollin larg njerëzve të politikës dhe grupeve të interesit”, thuhet në njoftimin e FFK-së për takimin e Ademit me të parin e UEFA-s.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)