Sport

Bashkëpunimi midis Gjermanisë e Kosovës, tema qendrore e “Sportit Total”

“Sporti Total” këtë të diel, do të trajtojë temën e bashkëpunimit ndërmjet Federatës së Futbollit të Gjermanisë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës. Biseda në kuadër të emisionit sportiv do të zhvillohet me drejtorin teknik të FFK-së, e që është gjermani Michael Nees, i dërguar i posaçëm i DFBsë, Federatës Gjermane të Futbollit për të ndihmuar në futbollin e Kosovës.

Gjermanët kanë qenë bashkëpunëtorët më të mëdhenj të futbollit kosovar, duke ndihmuar me kapacitete të ndryshme, në ngritjen e futbollit tonë. Dërgimi i trajnerëve, gjyqtarëve të futbollit për të mbajtur seminare dhe për të licencuar trajnerët e gjyqtarët e futbollit kosovar, ka qenë vetëm njëri nga bashkëpunimet e gjermanëve me kosovarët.

“Falë përfaqësuesve të FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli dhe vëllezërve Shoshi, që kanë ndihmuar e kontribuar në futbollin kosovar në periudha të ndryshme, ka qenë i mundur edhe bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, që aktualisht është aleati më i madh i FFK-së. Njeriu i dërguar nga DFB-ja gjermane është Michael Neesi, drejtori teknik që po udhëheq kampet për futbollistët e rinj, licencimin e trajnerëve dhe gjyqtarëve të futbollit, i cili në “Sportin Total” ka folur për organizimin dhe punën që është bërë, por edhe synimet”, ka thënë Bujar Mehmeti, udhëheqës i “Sportit Total”.

Neesi, sipas Mehmetit, nuk ka folur për asnjë medie deri më tani, dhe se deklaratat e tij janë ekskluzive për KTV-në.

“Nuk ka qenë e lehtë realizimi i kësaj interviste, pasi gjermani Nees nuk kishte folur më parë për mediat. Ai ka folur për rritjen e madhe të ekipit kombëtar të futbollit, por edhe synimet me grupmoshat e reja. Licencimet e trajnerëve dhe gjyqtarëve kosovarë, por edhe bashkëpunimin e FFK-së me DFB-në, e shumë çështje të tjera lidhur me futbollin vendor”, ka thënë Mehmeti.

“Sporti Total” në pjesën e dytë vjen me raportet e ndeshjeve të Kupës së Kosovës, rrethi i tretë, me çka edhe mbyllet sezoni i futbollit për këtë vit. Krahas futbollit, të dielën vijnë si zakonisht edhe raportet nga ndeshjet e basketbollit, temat e veçanta dhe rubrika e dashur e publikut, e cila sjell ngjarjet e pazakonta në terrenet e sportit kosovar, “Faullat e javës”, vjen në përfundim të sportit vendor.

Në fund të emisionit, vijnë si zakonisht edhe raportet nga top-ligat evropiane në futboll. “Sporti Total” transmetohet çdo të diel, nga ora 22:15, në KTV.