Sport

Behrami pranë kthimit tek Udinese

Mesfushori Valon Behrami pritet të kthehet tek Udinese, prej të cilit ekip u largua para fillimit të këtij edicioni.

Mediumet italiane kanë raportuar të martën se Behrami ka gjasa të mëdha që në janar të kthehet tek Udinese, pasi ekipi nga Serie A i ka bërë gati kontratë për gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për një edicion tjetër.

Behrami edicionin e shkuar ishte pjesë e Udineses, ku edhe barti shiritin e kapitenit, kurse aktualisht është futbollist i lirë, pasi shkëputi kontratën me skuadrën e Sionit, për të cilin ekip këtë edicion pati vetëm pesë paraqitje në total, shkruan Koha Ditore. Behrami tek Udinese shihet si përforcim i duhur, pasi skuadra ka pasur rezultate të dobëta, ka tubuar 14 pikë pas 13 xhirove të luajtura.

Behrami 34-vjeçar, karrierë në Itali ka bërë edhe te Napoli, Fiorentina, Lazio, Genoa e Verona, kurse në Serie A ka 206 ndeshje të zhvilluara. Ai ka qenë edhe pjesë e skuadrave si Watford, Hamburg, West Ham United e Lugano.

Behrami ka edhe 83 ndeshje të zhvilluara me Përfaqësuesen e Zvicrës, pjesë e së cilës nuk është më.