Sport

Të rinjtë e shkëlqyer po i shkaktojnë Koemanit kokëdhimbje

Foto: Reuters
 

Seleksionuesi i Holandës, Ronald Koeman, ka thënë se vala e talenteve të jashtëzakonshme që po luftojnë për një vend në përfaqësuese, nënkupton tash se lojtarët më me përvojë do të kenë betejë të vërtetë për një vend në Evropianin e vitit të ardhshëm.

Holanda e shkatërroi Estoninë me shifrat 5:0 të martën mbrëma, ndeshje në të cilën Koeman ia mundësoi debutimin dyshes së AZ Alkmarrit, Calvin Stengs (20) dhe Myron Boadu (18), i cili ka arritur në shifrën e 17 golave me klub dhe përfaqësuese në 24 ndeshje, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.
“Do të ishte e çuditshme po të thosha se çdo gjë është e qartë pas ndeshjes kundër Estonisë. Ne kemi ende edhe gjashtë muaj. Kemi shumë lojtarë të rinj që do të jenë gjysmë viti më të pjekur. Do të jetë një betejë e vërtetë për një vend në Evropian”, ka thënë Koeman për televizionin holandez NOS. “Normalisht, do të shikojmë në mars për të diskutuar për zgjedhjet. Do t’i lë shumë lojtarë të luajnë. Në mars do të luajmë dy miqësore dhe kemi zgjedhur të luajmë të enjten e të dielën. Nuk do të luajmë me skuadër të njëjtë”.