Klubi turk i xhudos (femrat), Galatasaray, ka fituar medaljen e bronztë në Ligën e Kampionëve.
Kjo garë ekipore është mbajtur të shtunën në Odivelas të Portugalisë, ndërsa janë paraqitur tetë klubet më të mira evropiane, shkruan Koha Ditore. Dy xhudistet kosovare, Nora Gjakova e Majlinda Kelmendi, ishin vendimtare në këtë sukses të ri të Galatasarayt.
Ka vite që xhudistet më të mira kosovare paraqiten për Galatasarayn në dy gara në fund të vitit. Galatasaray për të gjashtin vit rresht ka zënë vend në podium në garën kryesore të vitit për klubet evropiane të xhudos.
Championsi nuk ka nisur mirë për Galatasarayn. Në përballjen çerekfinale skuadra turke pësoi 5:0 nga Benfica. Majlinda Kelmendi garoi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe pësoi pas kohës shtesë nga italianja Odette Giuffrida. Ishte një luftë e fortë që u vendos vetëm nga dënimet.
Majlinda pësoi tri dënime dhe kështu Giuffrida u shpall fituese. Në përballjen e parë të repesazhit për Galatasarayn u paraqit Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo fitoi me “Ippon” ndaj francezes së njohur Penelope Bonna. Nora arriti te fitorja pas 1:59 minuta luftë. Galatasaray fitoi ndaj skuadrës franceze Pontault Combault me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Ndërkohë, në përballjen për medalje të bronztë u paraqitën Majlinda në kategorinë deri 57 kilogramë dhe Nora në kategorinë deri 63 kilogramë. Të dyja shënuan fitore, ndërsa Galatasaray me rezultat të ngushtë, 3:2, e mposhti skuadrën tjetër franceze, Flam 91. Majlinda me “Ippon” pas tre minutash luftë e mposhti xhudisten Coraline Marcus Tabellion.
Nora po me “Ippon”, pas 3:36 minuta luftë e mposhti xhudisten Sarah Harachi. Fitoret e tyre ishin vendimtare për suksesin e Galatasarayt.
Kampione u shpall skuadra franceze RSC Champigny, ndërsa nënkampione ajo spanjolle VCJ Valencia. Cluj Napoca e Rumanisë ka fituar medaljen tjetër të bronztë.