1 perditesime
17:50

Challandes: Muriqin s’kemi me kë ta zëvendësojmë, por duhet të përgjigjemi si ekip

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në konferencën për media një ditë para ndeshjes me Çekinë, ka thënë se mungesa e Muriqit është e madhe dhe shtoi se nuk ka lojtar që mund ta zëvendësojë atë.

“Mungesa e Muriqit është e madhe dhe nuk kemi lojtar që do të mund ta zëvendësojë atë. Por ne duhet të përgjigjemi si ekip ashtu siç kemi bërë çdoherë deri më tani kur kemi pasur mungesa”, tha trajneri i Kosovës, Challandes, raporton Koha.net.

Ai tha se fitorja e Çekisë ndaj Anglisë s’ka qenë befasi, “të paktën për mua, pasi e di që Çekia ka ekip shumë të mirë”.

“Është e qartë që fitorja e Çekisë na e ka komplikuar rrugën drejt kualifikimit”, potencoi Challandes.

Challandes tha se i takon atij të vendosë se kush do të luajë nesër, dhe është po ashtu punë e tij që të mos tregojë se kush do të luajë në vend të Muriqit.

“Është puna ime të vendos se kush do të luajë e po ashtu edhe puna ime që të mos tregoj se kush do të luajë në vend të Muriqit. E pamundshme të përgjigjem se kush do të luajë në vend të Muriqit. Shelhavy nuk na tregoi se kush do të luajë në vend të Schikut”, tha Challandes.

Ai tha se i ka menduar disa sisteme të lojës. “Ajo që mund të them është se nesër nuk do të jetë pika kryesore sistemi i lojës por krejt diçka tjetër”.

“Nuk është puna ime për të komentuar deklaratat e Çekisë. E dimë se kush jemi ne dhe kush është Çekia. Ne nuk kemi presion, por ne duam ta marrim kënaqësinë e të qenit këtu ku kemi arritur. Ne nuk koncentrohemi të kundërshtari shumë”, u shpreh më tej tekniku zviceran.

17:38

Berisha: Në Çeki kemi ardhur për fitore – mungesa e Muriqit, humbje e madhe

Kombëtarja e Kosovës në futboll, në konferencën për media para ndeshjes së nesërme kundër Çekisë, është shprehur e gatshme që të japë më të mirën për të arritur fitore.

Mesfushori i Lazios, Valon Berisha, ka thënë se mungesa e Vedat Muriqit është humbje e madhe për kombëtaren.

“Atmosfera është shumë e mirë. Humbje e madhe është mungesa e Vedat Muriqit. Për atë se a luaj unë nga minuta e parë, vendos trajneri. Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi të gatshëm të japim më të mirën për të arritur fitore”, u shpreh Berisha, raporton Koha.net.

“Unë çdoherë jam i gatshëm. Edhe pse nuk luaj shumë me klubin, kujdesem që të jem i gatshëm për Kosovën çdoherë, edhe atëherë kur nuk luaj në klub”, u shpreh më tej ai.

“Kemi shanse. Kemi ardhur të fitojmë këtu. Të realizojmë një ëndërr që e kemi. Çekia janë të fortë, kanë ekip të mirë, por jemi gati për këtë luftë pasi do të jetë një luftë si për ne e po ashtu edhe për ata”, tha Berisha.

Berisha tha se nuk ndihet në presion, dhe tha se ekipi duhet të shikojë përpara.

“Çdoherë kemi luajtur për diçka. Aq shumë duam që të arrijmë diçka sa që nuk na bie ndër mend për presion dhe nuk duhet të mendojmë për presionin. As në stërvitje nuk e kemi diskutuar presionin, por si të arrijmë të fitojmë”, potencoi Berisha.

Mesfushori tha se trajneri i Çekisë ka të drejtë kur thotë se është ndeshja mes Çekisë dhe Kosovës është ndeshja e vitit.

“Ashtu është edhe për ne. Kjo është ndeshja më e rëndësishme si Kombëtare që e kemi luajtur deri me tani”, tha mesfushori i Lazios.