Sport

KOK nënshkruan kontratë me tre bursistët për Lojërat Olimpike Pekin 2022

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar kontratë me tre bursistët për Lojërat Olimpike Pekin në vitin 2022.

Fitues të këtyre bursave pos Albin Tahirit janë edhe Fjolla Blata dhe Arbi Pupovci.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani në një konferencë për media, deklaroi se vlera totale e bursave është 108 mijë euro dhe kohëzgjatja e këtyre bursave është trevjeçare.

“Sot është një ditë e veçantë, një ditë kur bëhet nënshkrimi i kontratave për bursa olimpike për lojërat olimpike dimërore, Pekini 2020. Në bashkëpunim me Federatën e Skitarisë janë përzgjedhur tre përfitues të bursave në konkurrencën e skiatoreve të kësaj federate dhe këto bursa e kanë vlerën totale 108 mijë dollarë, jepen për periudhën kohore trevjeçare dhe jepen në funksion të arritjes së normës olimpike”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi tha se dy nga tre bursistët kanë arritur t’i grumbullojnë pikët e kërkuara, ndërsa Fjolla Blata është shumë afër.

“Për Federatën Skitare të Kosovës ky moment ka rëndësi të madhe, falënderojmë Komitetin Olimpik të Kosovës, njëkohësisht Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për ftesën e këtyre garuesve, që këta të jenë në formë dhe t’i ruajnë pikët në të cilat duhet që t’i kanë për pjesëmarrjen në Pekin 2022. Mendoj që dy nga bursistët veç i kanë arritur pikët dhe janë duke i mbajtur mirë, kështu që e kemi edhe Fjolla Blata, e cila i duhet vetëm edhe pak që t’i arrij pikët”, u shpreh Kelmendi.

Ndërsa bursisti Albin Tahiri, u shpreh se është i lumtur që nuk është i vetëm në këto gara dhe ka besim të madh të dy aleatët e tij.

“Shpresoj që në këto ndeshje olimpike nuk do të jem vetëm, që do të kem dy atletë me mua dhe dëshirojë që të kemi se paku rezultate të njëjta ose më të mira se herën e kaluar. Mendoj që do të kemi dy vitet të mira përpara, duhet të bëjmë shumë gjëra së bashku dhe do të jetë shumë emocionues siç jemi sot duke nënshkruar këtë kontratë. Besoj te ne të tre, shpresoj që edhe ju të na besoni të treve”, tha ai.

Në fund foli edhe trajneri Agim Popovci, i cili beson se në të ardhmen, kushtet do të jenë edhe më të mira.

“Falënderoj Komitetin Olimpik për ndarjen e këtyre bursa edhe për gjërat që ka qenë në bashkëpunim me federatën ku e kemi caktuar edhe dje çka janë sportistët më të mirë të Kosovës. Po ashtu, premtojmë që do ta shfrytëzojmë maksimalisht për t’i rregulluar pikët sa ma mirë për olimpiadën e ardhshme në Pekin që është në 2022 dhe presim ende ndihmë nga federata edhe nga KOK se e dimë se skijimi është pak më i shtrenjtë përveç bursave, por çka është një e mirë sivjet veç kemi filluar me përgatitje dy vjet më përpara, se ma herët e kemi pasur një vit para garave dhe besoj që në të ardhmen do të shkojë edhe ma mirë”, u shpreh Popovci.

Presidenti Hasani në fund deklaroi se Komiteti Olimpik i Kosovës i mbështet 29 persona për lojëra të ndryshme olimpike që do të mbahet në vitet në vijim. /Kosovapress/