Sport

James e Young po dëshmojnë se mosha është vetëm numër

Janë vetëm dhjetë lojtarë më në moshë se LeBron James në NBA këtë stinor. Nuk ka shumë më të rinj sesa Trae Young, 21-vjeçar.

Në moshën 34-vjeçare, disa njerëz kanë menduar se James do të ngadalësohej. E në moshën 21-vjeçare, disa kanë vlerësuar se Young është ende i ri për të shpërthyer.

Por po del se mosha është vetëm numër për dy yjet, që kanë nisur stinorin furishëm.

Duket befasuese që në stinorin e tij të 17-të në NBA, James ka arritur të rrisë nivelin e lojës. Fituesi i katërfishtë i çmimit MVP, këtë stinor hyri me hashtagun “#StinoriiHakmarrjes”.

“Pasi arriti në finale të NBA-së për tetë vjet rresht, dështimi për të hyrë në plejof vitin e kaluar definitivisht ishte diçka e re për LeBronin”, ka thënë gazetari i CNN Sport, Andy Scholes. “Por i dha atij mundësi që t’i rimbushë bateritë dhe në moshën 34-vjeçare, LeBron po duket më i mirë se kurrë”, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”.

James ka realizuar tre dyshifrorë të trefishtë rresht, një performancë ku lojtari arrin shifra dyshifrore në tri kategori të ndryshme - dhe Los Angeles Lakers ka bilancin më të mirë në NBA aktualisht me gjashtë fitore e një humbje.

Dikur i kritikuar si lojtar vetjak, James kryeson në NBA për asistime këtë stinor.

Në anën tjetër, Young është ngritur në stinorin e tij të dytë në NBA nga një fillestar aspirues në një superyll.

Ai ka përmirësuar mesataren e tij të pikëve nga 19.1 në 24.2 dhe ka rritur edhe saktësinë nga trepikëshi nga 32.4 për qind në 41.3 për qind. Me gjithë disavantazhin e tij në shtatlartësi krahasuar me rivalët e tij në NBA, pasi Young është vetëm 185 centimetra, ylli i Atlanta Hawks ka arritur të rrisë edhe numrin e kërcimeve.

Dhe të gjithë këtë e ka arritur ndonëse ka vuajtur nga një dëmtim i kyçit të këmbës që e ka detyruar të humbasë minuta lojë.

Starti i furishëm i Youngut është njohur kur ai është zgjedhur lojtari më i mirë i javës në Konferencën Lindore të NBA-së, në javën e parë të stinorit.

Me një skuadër pa përvojë dhe me njërin nga lojtarët kyç - John Collins – të suspenduar për 25 ndeshje, Atlanta është vlerësuar se është në fazë të rindërtimit. Por me Youngun në nivel të lartë, nuk do të jetë befasuese që Atlanta Hawks të arrijë në plejof të NBA-së vitin e ardhshëm.

Ndërkohë gjërat nuk po duken aq mirë për Golden State Warriorsin. Gjatë 82 ndeshjeve në stinorin e rregullt të NBA-së më 2015-16, Warriorsat kishin humbur vetëm nëntë ndeshje. Por pas tetë ndeshjeve këtë stinor, Warriorsat kanë humbur gjashtë sosh tashmë.

Nga fitimi i tre titujve të kampionit të NBA-së në katër vjet, deri te një nga skuadrat me bilancin më të dobët në NBA këtë stinor, është një rënie mjaft e madhe.

Pa titullarët e lënduar, Stephen Curry, Draymond Green, D’Angelo Russell e Klay Thompson, kampionët e vitit 2015, 2016 dhe 2018, pësuan 129:112 nga Houston Rocketsi të mërkurën mbrëma.

Golden State, po ashtu, në verë humbi Kevin Durantin, që kaloi te Brooklyni dhe ka mbetur me skuadër me lojtarë të rinj, ndërsa ka bilanc prej vetëm dy fitoresh e gjashtë humbje.