Sport

EuroCup Woman: Prishtina - MBA Moska, direkt në KTV prej orës 20:00

Pas tri humbjeve rresht në po aq ndeshje të zhvilluara, kampionia e Kosovës në basketboll (femrat), Mabetex Prishtina e pret skuadrën nga Rusia, MBA Moska në kuadër të xhiros së katërt të EuroCup Women. Ndeshja, që i takon Grupit B, nis në ora 20:00 dhe do të transmetohet direkt nga KTV-ja.

Prishtina e humbi ndeshjen e parë në Moskë (90:58), kurse në atë të kthimit beson në paraqitje më të mirë. Prishtina është e fundit në grup me tri pikë dhe ekipi i vetëm pa fitore, derisa MBA Moska është lidere me pikë maksimale - gjashtë.

“E kemi parasysh se përballë kemi ekipin që nuk ka humbje në grup, por ne do të mundohemi të japim maksimumin nga vetja dhe të kemi një paraqitje më të mirë sesa në ndeshjen e parë. E kemi parasysh forcën e kundërshtareve, por besojmë se me përkrahjen e tifozëve do të shfaqim një lojë të mirë”, ka thënë kapitenia e Prishtinës, Irma Konjusha.

Për Prishtinën kjo është hera e parë që po paraqitet në EuroCup Women, që është niveli i dytë i garave të klubeve në Evropë pas Euroligës.