Mesfushorit Granit Xhaka i është hequr shiriti i kapitenit në ekipin e Arsenalit, ka konfirmuar menaxheri Unai Emery.
Emery po ashtu ka konfirmuar se Pierre-Emerick Aubameyang do të zëvendësojë Xhakën në pjesën e mbetur të sezonit.
Emery ka bërë të ditur se e ka njoftuar Xhakën për lajmin në mëngjesin e së hënës dhe ka thënë se Xhaka “ka pranuar” vendimin.
Duke mos pranuar të japë arsyet pse e ka hequr Xhakën nga grupi i kapitenëve, Emery ka thënë se “kjo temë është e mbyllur”.
Se a do të luajë më Xhaka për Arsenalin, Emery ka thënë se “e ardhmja është e Arsenalit”.
Vendimi i Emeryt vjen një javë pasi Xhaka u përplas me tifozët e Arsenalit në ndeshjen me Crystal Palacen në Premier Ligë. Xhaka kishte sharë tifozët që e fishkëllenin gjatë largimit nga fusha, ndërsa ishte larguar drejt tunelit për të mos u ndalur në bankën rezervë. Më pas Xhaka kishte kërkuar falje pas katër ditësh, duke thënë se “kishte shpërthyer” pas shumë fyerjeve e abuzimeve që kishte përjetuar muajve të fundit.
Deklarimi i plotë i Emeryt në këtë konferencë:
Përse Xhaka s’luan ndaj Vitoria Guimaraes...
Përsëri, duhet të bëjmë një hap më shumë me të. Ai s’është këtu sot, por mendoj se na duhet pak kohë me të, fillimisht ta mbrojmë dhe të jemi të qetë e të ushtrojë me ne çdo ditë. Por po flisja me të në mëngjes dhe po ashtu kam vendosur se ai nuk është më nga kapitenët e grupit tonë dhe e kam vendosur këtë e i kam treguar në mëngjes.
Se si ishte përgjigja e Xhakës...
Ai e pranoi vendimin dhe po ashtu i tregova kapitenit dhe kapitenëve tjerë vendimin. Ne duhet të vazhdojmë tutje dhe të fokusohemi në ndeshjen e nesërme dhe të shtunës. Më duhet të marr vendim dhe tani kjo është e mbyllur.
Nëse do të ketë një votim tjetër për kapiten...
Tani e kemi Aubameyangun, Bellerinin, Lacazetten dhe Ozilin – janë katër kapitenë dhe i pari është Aubameyangu.
Për komentet e Xhakës për abuzimin që kishte përjetuar dhe nëse ai ka të ardhme tek Arsenali...
E ardhmja është e Arsenalit, me lojtarët që janë këtu tani dhe trajnerët që janë. Kemi një ndeshje nesër, shumë të rëndësishme për ne në Ligën e Evropës dhe më pas të shtunën dhe duhet të marrim disa vendime për disa rrethana që po ndodhin. Po ju them juve atë që është për Xhakën dhe tani fokusi është vetëm për ndeshjen e nesërme. Fokusi jonë është për nesër dhe mendoj se na duhet kohë sepse ai është një nga lojtarët tanë dhe ne duam ta mbrojmë, respektojmë dhe të vazhdojmë në mënyrën tonë. Për momentin, ai s’është në grup dhe vendimi ishte siç ju thashë. Për mendoj se kemi punë për të bërë që të përmirësohemi dhe të marrim pak vetëbesim. Po flisnim sot edhe për ekipin, për periudhën që po kalojmë dhe po flisnim për ndeshjen e nesërme, ndeshjen e së shtunës dhe mezi pres të luajmë e të shoh ekipin nesër dhe të shoh si mund të luajmë ndaj Vitoria Guimaraesit si mysafirë. Po ashtu sepse kjo garë është shumë e rëndësishme për ne dhe nëse ne fitojmë nesër do të jemi të parët në tabelë. Ky është caku jonë në këtë raund, në grup dhe më pas të bëjmë diçka të rëndësishme në këtë garë.
Nëse vendimi është i përhershëm për Xhakën dhe nëse do t’i kërkohet të largohet...
Mendoj se po flasim shumë për këtë dhe tani është e qartë, s’ka më shumë fjalë për këtë. Vendimi është ai që kam marrë, dhe që ia kam thënë atij dhe të tjerëve, tani po vazhdojmë përpara. Më pas kemi ndeshjet e ardhshme, javët e ardhshme dhe muajt e ardhshëm, se si të ecim përpara me çdo lojtar dhe çfarë të bëjmë me të po ashtu. Megjithatë fokusi jonë është për nesër, ai s’është këtu sot. Kemi lojtarë tjerë dhe për mua është shumë e rëndësishme që të respektoj garën dhe Vitoria Guimaraesin dhe po ashtu ndeshjen e rëndësishme të së shtunës. Fokusi jonë është vetëm për këto dy ndeshje dhe dua të ju tregoja vendimin tim. U kam treguar atyre. Fillimisht Xhakës më pas kapitenëve dhe gjithçka mori fund. Për mua, ka përfunduar në atë moment dhe çështja dhe e ardhmja e tij me ne po vjen javëve të ardhshme ose muajt e ardhshëm, tani na duhet fokusi veç për nesër.