Sport

Zidane: E di që Mbappe ëndërron të luajë për Realin

Zinedine Zidane është në dijeni që ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, “ëndërron” të luajë për Real Madridin.

Sulmuesi francez ka realizuar 33 gola në 29 paraqitje për PSG-në në Ligue 1 sezonin e shkuar, dhe kishte deklaruar se është i hapur për “projekt të ri”.

Ish-presidenti i Monacos, Vadim Vasilyev, këtë javë tha se kampioni i botës i kishte thënë më 2017 se po kalon në kryeqytetin francez sepse “ishte shumë herët” që të bënte kalimin në Santiago Bernabeu.

I pyetur nëse ai mendon që Mbappe do të luajë për Realin në të ardhmen, Zidane tha në një konferencë “se për këtë vendos lojtari”.

“Për momentin ai luan për PSG-në, do të shohim në të ardhmen nëse kjo ndryshon. E di se ëndrra e tij gjithmonë ishte që të luajë për Real Madridin”, ka deklaruar Zidane, raporton “Goal”, transmeton Koha.net.

Reali të mërkurën përballet me Galatasarayn në xhiron e katërt të Grupit A në Ligën e Kampionëve. Lider i këtij grupi është PSG-ja që ka tri fitore.