Më vështirë se që ka pritur, Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë, Besa fitoi në udhëtim ndaj Prishtinës me shifrat 34:31.
Ekipi pejan ka përmbysur rezultatin për të vazhduar me bilanc të qindpërqindtë këtë edicion. Besa ka dalë në vend të parë me 12 pikë, që i ka siguruar duke i fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e deritashme, shkruan Koha Ditore. Prishtina renditet e dyta po ashtu me 12 pikë, përkatësisht me bilanc prej gjashtë fitoresh e një humbjeje. Skuadra e Taib Kabashit pësoi humbjen e parë në edicionin aktual, ndonëse pas pjesës së parë kishte dy gola epërsi (15:13).
Në të vërtetë, Prishtina e ka kontrolluar lojën në pjesën e parë dhe vazhdimisht ka qenë në epërsi. Por gjatë pjesës së parë ka mbetur pa dy lojtarë që iu lënduan, dhe kjo i kushtoi në pjesën e dytë. Besa ka fond më të pasur të lojtarëve dhe ka përfituar nga ky fakt. Drilon Tahirukaj, Nikola Prce e Makhtar Kouri kanë shënuar nga gjashtë gola për Besën. Te Prishtina u dalluan Lindrit Fetahu me 11 gola dhe Oltion Beshiri me 9 gola.
Derbi ofroi hendboll të fortë, me shumë duele të fuqishme, ndërsa dy prej tyre iu kushtuan lojtarëve të Prishtinës me lëndime.
“Për mua ky rezultat dhe kjo paraqitje është si fitore, duke pasur parasysh ekipin që ka Besa. Mbetëm pa dy lojtarë dhe kemi fond të varfër. Më pas kombinuam me kadetë dhe juniorë për të bërë një shtatëshe. E kemi ditur që Besa është favorite, por ne në fushë treguam që kemi cilësi”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.
Te Besa kanë pranuar se kanë pritur ndeshje më të lehtë.
“Doli më vështirë, për shkak të nënvlerësimit. Menduam se do ta fitojmë shumë më lehtë këtë ndeshje, pasi kemi skuadër të nivelit tjetër. Kjo ka mundur të na kushtojë, por fatmirësisht fituam dhe duhet të vazhdojmë tutje për t’i fituar dy trofetë pa asnjë humbje”, ka thënë pivoti i Besës, Kastriot Jupa.
Në fakt, Besa vetëm në fund ka arritur te fitorja. Prishtina ishte në lojë deri në minutat e fundit. Besa ka fituar gjashtë titujt e fundit dhe vlerësohet favorite e madhe për të vazhduar dominimin.