Sport

Bashës i duhet të dalë nga hija e Berishës te Melbourne

Besart Berisha do të luajë për herë të parë kundër Melbourne Victoryt pas largimit nga kjo skuadër në verën e vitit të kaluar. Te Melbourne tashmë është një futbollist tjetër shqiptar – Migjen Basha. Mesfushori Basha më 19 shtator firmosi për dy vjet me skuadrën ku bëri histori sulmuesi Berisha. Basha ka premtuar të premten maksimumin për të ndaluar skuadrën e re të Berishës, Western United, në ndeshjen që luhet të shtunën (sot).

Për gazetën australiane, “Herald Sun”, Basha ka paraqitur rrëfimin e tij jetësor, ndërsa ka folur edhe për ndeshjen me Berishën, shkruan sot Koha Ditore.

“Nuk e njoh atë personalisht, por e di që ai ka shënuar shumë gola për Victoryn. Tani është ndryshe, ai është në klub tjetër. Në Victgory tani është një tjetër shqiptar”, ka thënë Basha. “Kur je në fushë nuk ke kohë të mendosh nëse ai është shqiptar, Italian, australian. Ne të dy duam të fitojmë dhe të luftojmë për klubet tona”.

Bashës i duhet punë për të arritur te Melbourne Victory famën që e kishte Berisha te kjo skuadër. Berisha në katër edicione rresht te kjo skuadër ka shënuar numër të madh golash. Më së paku shënoi 14 gola e më së shumti 19, duke llogaritur vetëm ndeshjet e kampionatit të rregullt. Gjithsej ka shënuar 82 gola në 130 paraqitje për skuadrën e madhe australiane. Berisha ka nisur suksesshëm edhe te Western United.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)