Sport

Lojtarët e Arsenalit e përkrahin Xhakën për të mbetur kapiten

Lojtarët e Arsenalit e mbështesin Granit Xhakën për të mbetur kapiten pavarësisht përplasjes që ka pasur me tifozët e klubit.

Portieri Emiliano Martinez ka thënë se në zhveshtore të gjithë janë përkrah Xhakës pas reagimit që ai pati me tifozët të dielën në barazimin 2 me 2 me Crystal Palacen në Premier Ligë. Xhaka shau tifozët që e fishkëllenin pasi trajneri Unai Emery vendosi ta largonte nga ndeshja. Teksa ecte jashtë fushës, Xhaka hoqi fanellën dhe hyri në tunel për të mos u ndalur fare në bankinë.

Sipas trajnerit Emery, Xhaka është i shkatërruar me rastin, por ai ka përkrahjen e të gjithëve për të kthyer raportet e mira me tifozët.

“Trajneri vendos nëse ai do të jetë kapiten ose jo. Por për ne si grup, si lider, e përkrahim”, ka thënë Martinez, raporton "The Telegraph". “Ai është i dashur, është pak i shkatërruar sepse ka familje të mirë, zemër të mirë dhe e do klubin. Kur dikush kalon nëpër këtë fazë, ne duhet ta përkrahim dhe jemi bashkë. Donim të fitonim ndeshjen për të”, ka shtuar Martinez, pasi Arsenali u eliminua nga EFL Cup prej Liverpoolit të mërkurën.