Sport

Neville i habitur pse Xhaka s’mëson nga gabimet

Descriptive Text

Ish-futbollisti anglez, Gary Neville, ka thënë se mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, duhet të nisë të mësojë nga gabimet e tij dhe duhet të kërkojë falje për sjelljet ndaj tifozëve të klubit të tij në ndeshjen me Crystal Palacen të dielën.

Reprezentuesi i Zvicrës u fishkëllye nga tifozët në barazimin 2 me 2 dhe ai u kundërpërgjigj duke sharë tifozët e duke hequr fanellën teksa largohej në drejtim të tunelit në momentin e zëvendësimit.

Duke folur si analist i futbollit, Neville ka thënë për “SkySports” se Xhaka duhet të jetë më i disiplinuar dhe të mësojë nga gabimet, transmeton Koha.net.

“Mendoj se ai është i padisiplinuar në performancat e tij në përgjithësi përgjatë një periudhe në dy apo tre vjetët e fundit. Nuk kam parë kurrë një lojtar që mëson më pak nga përvojat e tij, sesa Xhaka. Ai bën qindra gabime në ndeshje. Ndëshkohet vazhdimisht. E shikoj, nuk e shoh në çdo ndeshje, por kurdo që e shoh ai ndëshkohet”, ka thënë ai.

Neville ka thënë se nuk është befasuar nga sjellja e lojtarit, por ka shprehur besimin se lojtari duhet të kërkojë falje për sjelljet. Sipas tij, Xhaka mundohet shumë dhe është punëtor, por është “lojtari më me përvojë që s’mëson nga gabimet, nga të gjithë”.

“Ai po kalon kohë të vështirë dhe mendoj se do të jetë e vështirë për të të vazhdojë të bartë shiritin e kapitenit. Por nuk do të befasohesha nëse Unai Emeri e zgjidh çështjen dhe ai mund të vazhdojë. Mendoj se do të jetë e vështirë të kthehet shpejt në raport me fansat, mendoj se ai duhet t’u kërkojë falje”, ka shtuar anglezi.